Site icon Telegrafi

Neo-nazisti i njohur Robert Rundo nga muaji mars po qëndron në Serbi

Një nga drejtuesit e lëvizjes neo-naziste “Rise Above Movement (RAM)”, Robert Rundo është duke qëndruar në Serbi që nga muaji mars.

Sipas Bellingcat, përcjell Telegrafi, ai themeloi një kompani në mënyrë që të merrte një vizë për qëndrim të përkohshëm.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi i tij i lindjes, Rundo njihet si një supremacist i dhunshëm, i cili këtë javë u padit në nivelin federal, ku procesi do të zhvillohet në mungesë të tij, pasi ai po qëndron në Beograd prej mese 9 muaj.

Ai thotë se në Beograd erdhi për të ndihmuar.

“Këtu, ne po pastrojmë lagjen, kemi bërë një mbishkrim të bukur, artistik për vendasit”, thotë Rundo.

Ai gjithashtu është i pranishëm në media, ku promovon të ashtuquajturat “Lojërat Hajduk” me emrin “Roman”.

“Unë erdha këtu për të mbështetur vëllezërit e mi serbë. Unë erdha këtu për të treguar se jo të gjithë amerikanët janë të tillë”, shton ai.

Para se të vendosej në Serbi, Rundo vizitoi vendet e Evropës Lindore. Ai ishte në marshin neo-nazist në Hungari, marshimin vjetor neo-nazist në Bullgari dhe gjithashtu mori pjesë në disa tubime në Ukrainë me të njëjtën temë.

https://www.youtube.com/watch?v=Z_M6eb148l8

Por hapja e një kompanie nga Rundo në Serbi mund të mos jetë thjesht për qëllime biznesi. Në Serbi, një i huaj që ka një kompani mund të aplikojë për qëndrim të përkohshëm deri në një vit dhe mund ta rinovojë këtë qëndrim për çdo vit. Me pak fjalë, kjo do të lejonte Rundon të ndërtonte një bazë ligjore gjysmë të përhershme në një vend evropian pa u shqetësuar për rregulloret pa viza që kufizojnë qytetarët amerikanë të kalojnë jo më shumë se 90 ditë brenda një periudhe 180 ditore në Serbi.

Në muajin korrik, Rundo u shfaq në një video në YouTube në një ngjarje të organizuar nga një organizatë nacionaliste serbe e quajtur “Fondacija Junak”. Videoja, e postuar në kanalin e tij në YouTube tregon gjithashtu një banderolë të shpalosur “RAM Free”, duke iu referuar kolegëve RAM të Rundos që mbeten të burgosur. /Telegrafi/

Exit mobile version