Komuna e Podujevës dhe Fondacioni Jahjaga kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi për bashkëfinancimin e projektit “Fuqizimi i grave nga komunitetet e margjinalizuara me aftësi sipërmarrjeje dhe profesionale – faza II”.
Marrëveshja u nënshkrua nga Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, dhe Drejtoresha Ekzekutive e Fondacionit Jahjaga, Egzona Bexheti.
Ky projekt, i cili zbatohet nga Fondacioni Jahjaga me mbështetjen e donatorëve, ka një buxhet total prej 40,000 dollarësh, ndërsa Komuna e Podujevës ka zotuar një mbështetje financiare prej 1,000 eurosh për të ndihmuar gratë në zhvillimin e tyre ekonomik.
Kryetari Bulliqi shprehu mirënjohjen ndaj Fondacionit Jahjaga për angazhimin në fuqizimin e grave në Podujevë.
“Kjo marrëveshje ka për synim të mbështesë gratë nga komunitetet e margjinalizuara, duke i ndihmuar ato në zhvillimin e aftësive sipërmarrëse dhe profesionale,” deklaroi ai.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishte e pranishme edhe Nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu.
Projekti synon fuqizimin e grave në industrinë e bukurisë dhe rrobaqepësisë
Faza e parë e këtij projekti ka përfshirë trajnime tre-mujore në industrinë e bukurisë dhe rrobaqepësisë, duke ndihmuar gratë në ngritjen e kapaciteteve profesionale. Në fazën e dytë, përfitueset do të kenë mundësi të përfitojnë nga shërbime ndërmjetësimi në punësim, duke u lidhur me kompani të shumta që operojnë në këto fusha.
Ky projekt po implementohet në katër komuna të Kosovës: Podujevë, Fushë-Kosovë, Klinë dhe Novobërdë, duke synuar krijimin e mundësive të reja për gratë dhe integrimin e tyre në tregun e punës./Telegrafi/