Site icon Telegrafi

Nënshkruhet Marrëveshja e Financimit për instalimin e impianteve fotovoltaike në objektet shkollore në Fushë Kosovë

Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës Burim Berisha, gjatë ditës së martë ka pritur në takim drejtoren e KFOS-it Lura Limani me të cilën kanë nënshkruar marrëveshjen për financimin dhe zbatimin e projektit për instalimin e impianteve fotovoltaike në objektet e shkollave të komunës.

Sipas një njofimi nga komuna e Fushë Kosovës, për këtë projekt janë dhuruar nga donatorët 130,000 euro dhe 20.000 euro nga komuna, transmeton Telegrafi.

Me këtë marrëveshje do të bëhet instalimi i pesë impianteve fotovoltaike (prodhim energjie elektrike përmes energjisë diellore) mbi ndërtesat e shkollave “Mihail Grameno”, “Daut Bogujevci”, “Shkolla e Mesme Profesionale ”, “Hivzi Sylejmani” dhe “Vëllezërit Frasheri”.

“Energjia elektrike që do të prodhohet nga këto impiante do të përdoret nga komuna me qëllim për të ulur konsumin e saj të përgjithshëm nga rrjeti publik duke krijuar kështu një kursim direkt në faturat e energjisë elektrike”, thuhet në njoftim. Për menaxhimin efikas të investimit Fondacioni me Komunën do të krijojnë “Forumin Komunitar të Shkollave”, i cili përbëhet nga përfaqësuesi i Komunës, përfaqësuesi i Fondacionit, një përfaqësues nga stafi menaxherial i secilës shkollë dhe një përfaqësues i komunitetit të prindërve për secilën shkollë”, thuhet në njoftimin e komunës. /Telegrafi/

Exit mobile version