Që nga muaji prill në qytetin e Gjakovës, përkatësisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare ‘Ereniku’ ofrohet një nga shërbimet më të rëndësishme që është mamografia, por pavarësisht këtij shërbimi deri para pak ditësh në këtë qendër kishte munguar mjeku specialist për leximin e mamografisë.
Por, së fundmi kjo qendër ka shënuar një hap të rëndësishëm në këtë drejtim, pasiqë tashmë në dy vitet e ardhshme mamografitë e realizuara në këtë qendër do të lexohen nga radiologia dr.Afërdita Koshi.
Ky lajm është konfirmuar edhe nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Gjakovës, duke potencuar që pavarësisht problemeve që kanë pasur gjatë kësaj periudhe, tashmë për një periudhë dy vjeçare, sfida për leximin e mamografisë në Komunën e Gjakovës ka gjetur zgjidhje.
Tutje është bërë e ditur që dr.Afërdita Koshi, do të punojë 20 orë në javë, duke ofruar kështu shërbime profesionale për të gjitha ato gra që kanë nevojë për ekzaminime të rregullta mamografike. /Telegrafi/