Nga: Mahmoud Darwish
Përkthimi nga anglishtja (sipas Aaron Eldridge-it): Agron Shala
Kam shumë mall për bukën e nënës sime,
Edhe për kafenë e nënës,
Edhe për prekjen e nënës.
Fëmijëria ime rritet përbrenda meje,
Ditë pas dite.
E dua jetën time, sepse
Nëse vdes
Do të turpërohem
nga lotët e nënës.
Më mbërthe, nëse një ditë kthehem,
Si një mbulesë për qerpikët e tu,
Dhe mbuloi me bar kockat e mia
Që të pagëzohem nga pastërtia e thembrës sate.
Dhe lidhi kockat e mia,
Me një tufë flokësh
Me një copë të fillit që zvarritet
në vellon e fustanit tënd.
Ndoshta mund të bëhem Zot
Zot do të bëhesha
Po ta prekja thellësinë e zemrës sate.
Më vendos, nëse kthehem,
Si dru në furrën tënde të gatimit,
Si litar rrobash në çatinë tënde,
Sepse e kam humbur forcën,
Pa lutjet tua të përditshme.
Jam bërë i vjetër,
Mi kthe yjet e fëmijërisë
Që të mund t’ju bashkohem
Zogjve shtegtarë
Në rrugën e kthimit
Për në folenë e pritjes tënde.