Skuadra e Rangers ka arritur fitore me rezultat të ngushtë 2-1 ndaj Motherwell në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Ligës.
Me këtë triumf, ata tashmë kanë siguruar finalen e madhe ku përballë do ta kenë Celticun ndeshje kjo që do të luhet muajin e ardhshëm.
Vendimtar në këtë fitore të Rangers ishte mesfushori shqiptar Nedim Bajrami i cili arriti të shënojë në minutat e fundit të takimit golin që i kualifikoi ata tutje.
Po zhvillohej minuta e 81-të e takimit kur Nedim Bajrami pas asistimit të çekut Vaclav Cerny dhe me ndihmën e një devijimi, e çoi topin në rrjetë për rezultatin përfundimtar 2-1.
🇦🇱 | #PremierSportsCuppic.twitter.com/9iAkwi9LQo
— Rangers Football Club (@RangersFC) November 3, 2024
Ky ishte vetëm goli i dytë i reprezentuesit shqiptar me fanellën e gjigantit skocez, që prej se u transferua tek ta nga Sassuolo për shumën e 4 milionë eurove.
Rangers tashmë do të fokusohet tek Liga e Evropës, aty ku të enjten do të luajnë në udhëtim ndaj Olympiacosit dhe Bajrami do synojë që të jetë sërish në qendër të vëmendjes./Telegrafi/