Telegrafi

Në Zhur të Prizrenit përurohet Kulla kushtuar komandant Remzi Ademajt

Për nder të kujtimit të 26-vjetorit të rënies heroike të Remzi Ademajt, në Zhur të Prizrenit, të enjten është përuruar Kulla e Komandant Petritit. Projekti i realizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sportit, do të shërbejë si muze për të mbajtur gjallë kujtimin për veprën e komandant Remzi Ademajt.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka theksuar se kjo kullë do të shërbejë për edukimin e brezave të rinj për kontributin e jashtëzakonshëm për liri të komandant Petritit dhe shokëve të tij.

“Me inaugurimin e kësaj kulle e kemi një objekt i cili do të shërbejë për edukimin e gjeneratave të reja, brezave të rinj, për të treguar se liria, të arriturat dhe zhvillimi nuk kanë ndodh rastësisht”, ka thënë Totaj.

Sekretari i OVL të UÇK-së në Prizren, Isa Berisha ka vlerësuar se ky projekt i shërben ruajtjes dhe promovimit të vlerave të luftës së UÇK-së.

“E veçanta e këtij përkujtimi është se sot po e bëjmë përurimin e kullës kushtuar komandant Remzi Ademajt, ku një falënderim i posaçëm shkon për kryetarin Totaj dhe drejtorin e DKRS-së, Adem Morina, të cilët bënë një vepër të mrekullueshme, sepse duke respektuar të kaluarën e lavdishme të UÇK-së e ndërtojmë të ardhmen e ndritshme të popullit shqiptar”, ka deklaruar ai, raporton Telegrafi.

Në emër të familjarëve të komandant Petritit, i vëllai Hamit Ademaj ka shprehur mirënjohje për jetësimin e këtij projekti, dhe njëherësh ka bërë thirrje që muzeu të pasurohet me eksponate.

“Më lejoni që të bëj një thirrje për të gjithë veprimtarët edhe luftëtarët e vëllait tonë, të cilët kanë eksponate apo fotografi të përbashkët që ti sjellin në këtë muze”, është shprehur Ademaj.

Për nder të 26-vjetorit të rënies së dëshmorit Remzi Ademaj – Komandant Petriti, janë bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë, sikurse edhe te lapidari në fshatin Nashec, në vendin ku Komandant Petriti ra dëshmor në vitin 1998.

Remzi Ademaj ka qenë veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare. Ai ka dhënë kontribut të çmuar edhe për mbijetesën e arsimit dhe shkollës shqipe në vitet ’90-ta, ndërkohë që i është bashkuar njësive të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë luftës është emëruar edhe Komandant i parë i Zonës Operative të Pashtrikut.  /Telegrafi/