Site icon Telegrafi

Në Vushtrri përurohet libri dedikuar rolit dhe sakrificës së grave gjatë luftës së fundit në Kosovë

Përurimi i librit "Femra shqiptare - Roli dhe sakrifica për atdhe" i autores Ymrije Beqiri. Foto: Blinera Mehmeti/Telegrafi

Gjatë ditës së djeshme, është përuruar libri “Femra Shqiptare – Roli dhe sakrifica për atdhe” i autores Ymrije Beqiri, në Qendrën për Kulturë “Hasan Prishtina” në Vushtrri.

Ky libër i dedikohet sakrificës së grave shqiptare në luftën e fundit në Kosovë, e në veçanti të atyre që vinin nga Komuna e Vushtrrisë, shkruan Telegrafi.

Autorja e librit, Ymrije Beqiri ka thënë se nuk ishte e lehtë mbledhja e materialit dhe informacioneve për shkruarjen e këtij libri.

“E kemi obligim moral të dokumentojmë këto lulekueqe lirie që dhanë më të shtrenjtën jetë, për lirinë që ne e gëzojmë sot. Secili nga ne duhet t’i jap detyrë vetës të shkruajë apo të përcjellë ndonjë rrëfim në mënyrë që të shtrenjtët tanë të mos mbetën në harresë”, ka thënë autorja.

Beqiri u shpreh optimiste se libri do t’iu shërbejë brezave të rinj të marrin njohuri lidhur me krimet që okupatori serb kreu mbi popullin shqiptar.

Ajo ka shtuar se gjatë kohës kur ishte duke mbledhur informacionet për librin po përjetonte një periudhë pagjumësie dhe stresi, transmeton Telegrafi.

“Si të jem mirë kur të kujtojmë si na u vranë më të vegjlit tanë, fëmijët në djep, qenia më e pafajshme. Na u vranë vajzat, gratë, nuk i kursyen as ato shtatëzëna. Mandej, ndër to ka pasur edhe të palëvizshme që i dogjën brenda në shtëpi”, ka theksuar autorja.

Mes të tjerash, ajo potencoi se në mënyrë që historia e njëjtë të mos përsëritet, nuk duhet t’i harrojmë sakrificat e popullit për lirinë.

Përurimi i librit “Femra shqiptare – Roli dhe sakrifica për atdhe” i autores Ymrije Beqiri. Foto: Blinera Mehmeti/Telegrafi

“Këtë duhet ta kuptojnë gjithë bota sepse jemi një popull që e paguam shumë shtrenjtë lirinë. Na u deshtë ta mbrojmë pragun e shtëpisë në shumë luftëra shekuj me radhë, duke u vetëmbrojtur, jo duke pushtuar tokat e huaja. Prandaj dhamë më të shtrenjtët për tokën tonë, toka jonë është ujitur me gjakun e bijve dhe bijave më të mirë të kombit”, ka deklaruar ajo.

“Lavdi të rënëve. Krenare me veprat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)”, ka përfunduar autorja e librit, Ymrije Beqiri.

Në përurimin e librit pati shumë interesim të qytetarëve, ku në mesin e tyre të pranishëm ishin familjarë të heronjve, Zahir Pajaziti dhe Tahir Meha, përfaqësues të Kuvendit të Kosovës, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi dhe disa drejtorë të drejtorive, profesorë dhe dashamirës të librit.

Autorja njoftoi se nga ky libër ka gjetur se në Komunën e Vushtrrisë, gjatë luftës së fundit janë vrarë 99 gra, mes tyre kishte foshnje, vajza, gra dhe të moshuara.

Redaktor i librit është Xhevat Lahu, recesent Bedri Tahiri dhe kritik letrar, Hazir Luta. /Telegrafi/

Exit mobile version