Gjatë ditës së djeshme, në Komunën e Vushtrrisë është mbajtur një takim për aftësimin profesional të grave që jetojnë në zona rurale dhe atyre që ju përkasin komuniteteve jo-shumicë.
Ky takim është mbajtur në kuadër të projektit “Agjenda e Kontratës Sociale për Vushtrri”, shkruan Telegrafi.
“Takimi u organizua në bashkëpunim me Komunën e Vushtrrisë dhe përfaqësuesit e komunitetit jo shumicë në fshatin Prilluzhë. Në takim morën pjesë 19 persona, prej tyre 17 gra dhe 2 burra, të gjithë pjesëtarë të komuniteteve jo-shumicë. Zyrtarët komunalë Ekrem Merovci dhe Berat Maxhuni, si dhe përfaqësuesit e projektit të USAID “Agjenda e Kontratës Sociale” ishin gjithashtu të pranishëm”, thuhet në njoftimin e Komunës së Vushtrrisë.
Qëllimi kryesor i takimit ishte formimi i listës së grave nga komunitetet jo-shumicë dhe mbledhja e propozimeve për kurset apo trajnimet e dëshiruara. Gjatë takimit u diskutua rreth hapave të mëtejshëm, si dhe u propozuan disa kurse dhe trajnime të cilat grupi i grave nga komunitetet jo-shumicë dëshiron t’i ndjekë:
-Kurse për parukeri dhe përgatitjen e ëmbëlsirave;
-Kurse për IT dhe media sociale;
-Kurse për përkthyes të gjuhëve rome, serbe dhe turke;
-Përgatitje për ushqime tradicionale;
-Trajnime për kujdestari ndaj fëmijëve;
-Kurse për rrobaqepësi;
-Trajnime për ndërmarrësi dhe hapje të bizneseve;
-Trajnime për shërbime në gastronomi.
“Palët u pajtuan që avokimi në institucionet komunale për kërkesat e tyre është shumë i nevojshëm”, thuhet tutje në njoftim.
Takimi i ardhshëm do të mbahet sipas “Agjendës së Kontratës Sociale” për hartimin e një plani për avancimin profesional të grave në zonat rurale dhe atyre të komunitetit jo-shumicë në këtë komunë. /Telegrafi/