Site icon Telegrafi

Në territorin e komunës së Gjakovës ka filluar fushata e korrje-shirjes

Në arat e komunës së Gjakovës ka filluar fushata e korrje – shirjes së grurit, për çfarë drejtoria komunale e Bujqësisë ka kryer përgatitjet me kohë.

Jetmira Gllogjani Vula, Udhëheqëse e sektorit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Drejtorinë e Bujqësisë në Gjakovë, ka folur për Telegrafin lidhur me fillimin e fushatës së korrje – shirjes.

“Procesi i korrje-shirjeve në Komunën e Gjakovës tashmë ka filluar dhe fermerët tashmë janë në fluksin e punës, duke korrur sipërfaqet e tyre me grurë”, ka thënë fillimisht Gllogjani – Vula.

Ajo ka potencuar se janë kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme për këtë proces.

“Janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e këtij procesi, Drejtoria për Bujqësi në Komunën e Gjakovës ka formuar edhe komisionin komunal, i cili do të përcjellë të gjithë fushatën e korrje – shirjes”, potencoi Gllogjani – Vula.

Sipas të dhënave nga tereni Gllogjani – Vula tha që kushtet atmosferike këtë vit kanë qenë më të favorshme për kultivimin e grurit.

“Në bazë të informacionit dhe vizitave nga terreni këtë vit kushtet klimatike kanë qenë më të favorshme për kultivimin e grurit dhe me këtë rast rendimenti është me i larte duke mos e harruar edhe kualitetin e grurit, i cili këtë vit është më i mirë”, shtoi Gllogjani – Vula.

Ajo po ashtu foli edhe për sipërfaqet e mbjella me grurë dhe rendimentin.

“Sipas statistikave dhe të dhënave që kemi janë rreth 3,000 hektarë të mbjellur me grurë. Ndërsa rendimenti i grurit këtë vit pritet të jetë rreth 5000 – 5500 kg për hektar”, përfundoi Gllogjani – Vula.

Exit mobile version