Site icon Telegrafi

Në rrugë nuk ka muzikë, qytetarët janë të frikësuar – si po zhvillohet tani jeta në Kabul pas ardhjes së talebanëve?

Talebanët janë kudo, në pika kontrolli që dikur zyrtarisht ishin policia dhe shpesh shërbenin si barrikada ushtarake.

Talebanët kontrollojnë trafikun, kontrollojnë veturat, e në veçanti ato mjete që dikur i përkisnin policisë dhe ushtrisë, transmeton Telegrafi.

Të gjitha ato mjete që dikur i përkisnin ushtrisë dhe policisë, tani i kanë në duar talebanët.

Korrespondenti i BBC-së nga Afganistani, ka raportuar për jetën në qendrën e kryeqytetit afgan – Kabul. Sipas tij, trafiku është paksa i rënduar, e shumica e dyqaneve janë të mbyllura.

“Kam parë disa gra në rrugë. Mbanin maska kundër COVID-19 dhe kokat i kishin të mbuluara”, ka shtuar gazetari i BBC-së.

Është theksuar se në asnjë rrugë apo lokal nuk mund të dëgjosh zë të ndonjë televizori apo radioje e lërë më muzikë – e në hotelet që dikur mbretëronte shpirti argëtues nën tingujt e muzikës së lindje së mesme, sot dukej sikur gjithçka ka vdekur.

Sipas korrespondentit të BBC-së, qytetarët janë tej mase të frikësuar pavarësisht që në një farë forme po mundohen ta vazhdojnë jetën – duke tentuar të besojnë se nuk po ndodh asgjë.

E skena të tmerrshme kanë ardhur nga aeroporti i Kabulit, ku shihen shumë familje, fëmijë, të rinj të moshuar – duke bërë të pamundurën që të largohen nga vendi. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version