Site icon Telegrafi

“Ne i respektojmë shumë gratë”: Talebanët mbajnë samitin me 3000 delegatë, të gjithë burra

Burrat do t’i përfaqësojnë gratë në një mbledhje me 3000 delegatë, të gjithë meshkuj, për të ardhmen e Afganistanit, ka thënë një figurë e lartë talebane.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, takimi në Kabul të enjten është mbledhja e parë e madhe e klerikëve islamikë dhe pleqve të fiseve që kur talebanët morën pushtetin gushtin e kaluar.

Dhe kritikët dhe grupet e shoqërisë civile thanë se nuk do të ketë legjitimitet nëse gratë afgane, të cilat numërojnë rreth 20 milionë, nuk marrin pjesë.

Megjithatë, zëvendëskryeministri në detyrë i talebanëve, Abdul Salam Hanafi, tha se burrat do të përfaqësonin gratë në këtë ngjarje.

“Gratë janë nënat, motrat tona. Ne i respektojmë shumë”, ka thënë zëvendëskryeministri në detyrë i Talibanëve Abdul Salam Hanafi të mërkurën. “Kur djemtë e tyre janë në tubim, do të thotë se edhe ato janë të përfshirë, në një farë mënyre, në tubim”.

“Do të mblidhen njerëz të ndryshëm me pikëpamje të ndryshme. Ky do të jetë një hap pozitiv për stabilitetin në Afganistan dhe forcimin e unitetit kombëtar”, ka thënë më tej ai për transmetuesin shtetëror RTA.

Hanafi tha se qeverisja islame dhe ekonomia, si dhe “çështjet sociale” të vendit do të diskutohen në takimin vetëm për burra.

Është e paqartë nëse do të diskutohen çështjet lidhur me arsimin e mesëm të vajzave apo të drejtat e grave.

Veç kësaj, as mediat nuk do të lejohen të ndjekin ngjarjen.

Ngjarja shihet si një përpjekje nga talebanët për të përmirësuar legjitimitetin e tyre të brendshëm dhe për të siguruar njohjen e nevojshme ndërkombëtare. /Telegrafi/

Exit mobile version