Në oborrin e Qendrës për Praktikë Narrative, gjatë ditës së mërkurë kryetari i Prishtinës Perparim Rama ka takuar një pjesë të komunitetit artistik dhe disa pjesëtarë të shoqërisë civile me të cilët kanë biseduar për vazhdimin e funksionimit të Qendrës.
Takimi ka ardhë si rrjedhojë e letrës publike te PAKT (punëtoret në art) e cila ka qenë e nënshkruar nga afër 300 persona, transmeton Telegrafi.
Në një njoftim nga komuna e Prishtinës thanë se ky takim shërbeu për të dëgjuar shqetësimet dhe kërkesat e artistëve pjesëmarrës.
“Ky takim shërbeu si një platformë për të dëgjuar shqetësimet dhe nevojat e artistëve tanë, duke theksuar që bashkëbisedime rreth kulturës dhe artit në kryeqytet , si dhe hapësirat në dispozicion të tyre, duhet të jenë sa më të shpeshta”, thuhet në njoftim.
Ndërsa pjesëmarrëse në këtë takim ishte edhe Drejtoresha e Kulturës në Prishtinë, Sibel Halimi bashkë me të cilën ata potencuan rëndësinë e bashkëpunimit me artistët, ani pse për mos realizimin e projekteve komuna fajin ua lë mungesës së fondeve.
“Që prej vitit 2022, falë marrëveshjes me Manifesta 14, Qendra për Praktikë Narrative ka ofruar një numër të madh aktivitetesh duke i shërbyer komunitetit dhe artistëve tanë. Megjithatë, mungesa e fondeve ka penguar vazhdimin dhe realizimin e projekteve të reja, duke sjellë degradimin e hapësirave”, thuhet në njoftim.
Për të rivitalizuar Qendrën, Drejtoria e Kulturës është vendosur në një pjesë të objektit, ndërsa hapësira tjetër është dhe do të vazhdojë të jetë e lirë dhe në shërbim të aktiviteteve që do të zhvillohen aty.
Gjithashtu, për të riaktivizuar këtë qendër, Drejtoria e Kulturës është vendosur në një pjesë të objektit derisa pjesa tjetër do të mbetët e lirë./Telegrafi/