Telegrafi

Në Prizren po vazhdon grumbullimi i ndihmave për zonat e prekura nga përmbytjet në Bosnje e Hercegovinë

Pjesëtarët e komunitetit boshnjak që jetojnë në Komunën e Prizrenit kanë inicuar nisma për grumbullimin e ndihmave humanitare për zonat e prekura nga përmbytjet vdekjeprurëse në Bosnje dhe Hercegovinë.

Veshmbathjet dhe pakot ushqimore po grumbullohen në Qendrën Kulturore Boshnjake në Prizren, raporton Telegrafi.

Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi ka theksuar se këto ndihma brenda pak ditësh do të nisen për në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Pas përmbytjeve në Bosnje dhe Hercegovinë kemi shprehur dëshirën që pjesëtarët e komunitetit boshnjak të Prizrenit të solidarizohen me vëllezërit e motrat tona atje dhe ka nisur aksioni i grumbullimit të veshmbathjeve dhe gjërave ushqimore, dhe pakot do të dërgohen brenda ditësh në zonat e prekura në Bosnje dhe Hercegovinë”, ka thënë ajo.

Në të njëjtën kohë ka theksuar se të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës do të shqyrtohen modalitetet për ndihmën shtetërore.

Pavarësisht kësaj ajo i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim etnie që të ofrojnë përkrahje humanitare për zonat e prekura nga përmbytjet në Bosnje dhe Hercegovinë, pasi sipas saj, atje ende mbretëron një situatë e vështirë.

Nisma të ngjashme janë ndërmarrë edhe nga subjektet tjera politike, por edhe aktivistët e shoqërisë civile nga radhët e komunitetit boshnjak që veprojnë në Komunën e Prizrenit, të cilët kanë hapur xhirollogari të caktuar bankare për të grumbulluar mjete financiare që do të transferohen për të ndihmuar zonat e prekura nga përmbytjet vdekjeprurëse.

Ditë më parë, përmbytjet në zona të ndryshme të Bosnje dhe Hercegovinës kanë shkaktuar viktima të konsiderueshme në njerëz dhe dëme të mëdha materiale. /Telegrafi/