Site icon Telegrafi

Në Obiliq u bë prezantimi i Raportit dhe Analizës së Punës së Stacionit Policor të Obiliqit për vitin 2024

Në sallën e Kuvendit Komunal të Obiliqit u mbajt takimi për prezantimin e raportit dhe analizës së punës së Stacionit Policor të Obiliqit për vitin 2024.

Në këtë takim morën pjesë Kryetari i Komunës së Obiliqit, përfaqësues të institucioneve lokale, drejtorë të shkollave, përfaqësues të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), KFOR-it, Bashkësisë Islame, organizatave joqeveritare (OJQ), si dhe kryeshefi i NPL “Kastrioti” Sh.A.

Gjatë takimit, Komandanti i Stacionit Policor të Obiliqit, Zekrija Januzi, prezantoi arritjet, sfidat dhe planet për të ardhmen, duke theksuar angazhimin e policisë në ruajtjen dhe forcimin e sigurisë publike në territorin e komunës.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, në fjalën e tij vlerësoi lartë angazhimin dhe profesionalizmin e stafit të Stacionit Policor të Obiliqit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve komunale dhe Policisë, duke theksuar se: “Bashkëpunimi ynë ka qenë dhe mbetet i vazhdueshëm, me fokus të veçantë në lehtësimin e punës së Stacionit Policor.”

Në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të Stacionit Policor të Obiliqit, Kryetari Gashi i dhuroi Komandantit të SP-së, Zekrija Januzi, një kopje të artefaktit kulturor “Koka Antropomorfe e Ritualit të Besimit Ilir”, që i përket periudhës antike (Enolitik) dhe është zbuluar në fshatin Dardhishtë të Obiliqit në vitin 2012.

Në përmbyllje të takimit, u ndanë mirënjohje për zyrtarët policorë të dalluar, si dhe për Kryetarin e Komunës së Obiliqit për bashkëpunimin e tij të vazhdueshëm me Stacionin Policor të Obiliqit.

/Telegrafi/

Exit mobile version