Në shkollën “Ismail Dumoshi” në Obiliq, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), së bashku me përfaqësues të Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), drejtorë të shkollave fillore të mesme të ulëta dhe të mesme të larta, si dhe psikologen e shkollës nga Komuna e Obiliqit, mbajtën një sesion informues mbi politikat për të drejtat e fëmijëve në institucionet e arsimit parauniversitar.
“Çdo institucion është i thirrur që, me përkushtim, të zbatojë këto të drejta për një mjedis më të sigurt dhe të barabartë për të gjithë nxënësit”, thuhet në njoftimin e bërë nga Komuna e Obiliqit.
Tutje, theksohet se zbatimi i politikave për mbrojtjen e fëmijëve është zotim dhe përgjegjësi e çdo institucioni arsimor për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e fëmijës përmes profesionalizmit, etikës së punës dhe aftësive të personelit për të identifikuar dhe parandaluar rreziqet. Këto politika ndihmojnë në vlerësimin e kompetent të ngjarjeve dhe reagimin e duhur në përputhje me rrethanat dhe nevojat e fëmijës.
Gjatë këtij sesioni, u prezantuan manuale didaktike dhe module tematike për mbrojtjen e fëmijëve. Për të arritur rezultate konkrete në nivel qendror dhe lokal, është e nevojshme zbatimi i përkushtuar i dokumenteve kyçe:
1.Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (1989)
2.Ligji Nr. 04/L-32, Për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës
3.Ligji Nr. 06/L-084, Për Mbrojtjen e Fëmijës.
/Telegrafi/