Site icon Telegrafi

Në një përplasje trenash në Indi, 288 persona humbën jetën dhe 850 pasagjerë u lënduan

Të paktën 288 humbën jetën dhe 850 të tjerë janë lënduar në një përplasje treni në shtetin indian të Odisha, tha një zyrtar i Odisha për AFP, në atë që Reuters raporton si aksidentin më vdekjeprurës hekurudhor të Indisë në më shumë se dy dekada.

Sudhanshu Sarangi, shefi i departamentit të zjarrfikësve në Odisha, tha se shpëtimi i viktimave ishte ende në vazhdim dhe se kishte shumë lëndime më të rënda, raporton Reuters.

Kryesekretari i Odisha, Pradeep Jena, njoftoi në Twitter se më shumë se 200 autoambulanca janë thirrur në vendin e aksidentit në distriktin Balasore të Odisha, dhe 100 mjekë të tjerë janë mobilizuar, mbi 80 që janë tashmë atje, transmeton Telegrafi.

“Unë isha duke fjetur. Më zgjoi zhurma e trenit që dilte nga shinat. Papritur pashë 10-15 të vdekur. Arrita të dal nga vagoni dhe më pas pashë shumë trupa të copëtuar”, tha i mbijetuari i paidentifikuar.

Videot tregojnë shpëtimtarët duke u ngjitur në një nga trenat e dëmtuar për të gjetur të mbijetuarit, ndërsa pasagjerët bërtisnin për ndihmë dhe qanin. Përplasja ndodhi dje rreth orës 19:00.

Howrah Superfast Express, i cili shkon nga Bangalore në Howrah në Bengalin Perëndimor, doli nga shinat dhe u përplas me Coromandel Express, i cili shkon nga Kolkata në Chennai.

Autoritetet kanë dhënë pretendime kontradiktore se cili tren doli i pari nga shinat. Ministria e Hekurudhave ka njoftuar se ka nisur hetimet për ngjarjen.

Ndonëse Jena tha se në përplasje është përfshirë edhe një tren mallrash, gjë që u raportua edhe nga disa media, hekurudhat indiane ende nuk e kanë përmendur këtë mundësi.

Sipas hekurudhave indiane, rrjeti i tyre transporton më shumë se 13 milionë njerëz çdo ditë, dhe Reuters thekson se infrastruktura është e vjetëruar.

India shpalli sot ditë zie për aksidentin. Aksidenti më vdekjeprurës hekurudhor i Indisë ndodhi në vitin 1981 kur një tren u rrëzua nga një urë në një lumë në shtetin e Bihar, duke vrarë rreth 800 njerëz. /Telegrafi/

Exit mobile version