Telegrafi

Në mungesë të shkopit magjik – biopsia

Mr.Sc.Dr. Bujar Gjikolli
Radiolog – Shef i Radiologjisë
Spitali Amerikan Prishtinë, 
Hajvali, km 7, Republika e Kosovës
038 221 661 ose 045 500 910

Mjekësia është njëra prej shkencave më dinamike e cila vazhdimisht zhvillohet dhe zgjerohet në fusha të reja. Zbulohen teknika të reja imazherike për zbulimin e sëmundjeve, procedura të reja më të suksesshme për trajtimin e sëmundjeve si dhe barëra të reja, të gjitha me qëllim të ofrimit më të suksesshëm dhe më të mirë të shërbimeve mjekësore.

Mirëpo, përkundër arritjeve të shumta shkencore në mjekësi dhe teknologji për diagnostikim më të mirë si parakusht për trajtim më të suksesshëm, ende nuk ekziston teknika magjike diagnostikuese e cila i bënë të gjitha dhe i zbulon të gjitha duke i eliminuar metodat tjera diagnostikuese.

Teknikat imazherike si radiogramet klasike me fluoroskopi, ultratingulli, tomografia e kompjuterizuar, rezonanca magnetike, mamografia janë komplementare dhe plotësojnë njëra-tjetrën, por në raste të caktuara ato kanë edhe kufizimet e tyre.

Pra, mungon shkopi magjik i cili e jep përgjigjën e fundit e ajo është emri i procesit patologjik i cili shqyrtohet. Në këtë rast bëhet biopsia e procesit të dyshimtë me njërën prej metodave imazherike në dispozicion.

Ç’farë është biopsia?
Biopsia është test mjekësor i realizuar nga radiologu ose nga kirurgu dhe paraqet marrjen e mostrës me inde dhe qeliza nga cilado pjesë e trupit për t’i kontrolluar ato. Është heqje e indit nga qenia e gjallë për të përcaktuar prezencën ose shtrirjen e sëmundjes.
Në anën tjetër, gastroenterologu dhe kirurgu abdominal mund të marrin biopsitë përmes gastroskopisë-kolonoskopisë nga brendia e tubit digjestiv, pneumoftiziologu nga brendia e lumenit të bronkeve, gjinekologu me histeroskopi nga brendia e mitrës dhe urologu me cistoskopi nga brendia e fshikës urinare.

Etimologjia dhe historiku i biopsisë
Fjala biopsi rrjedhë nga gjuha greke, nga fjala bio e cila do të thotë jetë dhe opsia e cila do të thotë të shikosh.
Dermatologu françez Ernest Besnier e prezantoi fjalën biopsy në mjekësi me 1879.
Biopsitë e para janë realizuar nga mjeku arab Abulcasis (1013-1107) i cili ka përdorur punktimin e strumës tiroide dhe kakarakterizuar materialin indor të nxjerrur.

Si merren biopsitë?
Biopsitë në të kaluarën janë bërë me metodë të hapur kirurgjike por me zhvillimin e metodave imazherike radiologjike është mundësuar qasja minimale invazive me gjilpëra të caktuara nën kontroll të ultratingullit, të rrezeve rëntgen, të tomografisë së kompjuterizuar dhe të rezonancës magnetike. Patologjitë përbrenda tubit digjestiv bioptohen përmes fibroskopit.
Biopsitë minimale invazive (me qëllim të atakimit – invazionit minimal të integritetit të trupit të pacientit) radiologjike bëhen me gjilpëra që presin një mostër/cilindër të indit patologjik të ashtuquajtura ,,cut-biopsy’’ dhe biopsi me të cilat merren vetëm disa qeliza – biopsitë citologjike.

Fazat e realizimit të biopsisë dhe paraqitja e tyre vizuele
Të gjitha biopsitë duhet të realizohen në kushte maksimale të asepsës me kontroll maksimal për parandalimin e infeksioneve të mundshme.
Pacienti së pari duhet të informohet saktësisht se çfarë procedure radiologjike do të përdoret, se cilat janë arsyet që kjo procedurë duhet të bëhet, të informohet për procedurat paraprake që duhen bërë (analizat laboratorike që vërtetojnë aftësinë e koagulimit), për komplikimet e mundshme nga kjo procedurë, pastaj për përgatitjet e nevojshme si dhe hapat që pacienti duhet ndërmarrë pas realizimit të procedurës radiologjike minimale invazive.
Pas informimit të hollësishëm dhe përgjigjes së dhënë pyetjeve të mundshme, atëherë pacienti ose familjari nënshkruan miratimin e zbatimit të kësaj procedure, se është i informuar në tërësi edhe për komplikimet e mundshme nga realizimi i kësaj procedure minimale invazive radiologjike.

Gjatë realizimit të procedurës së marrjes së biopsisë, së pari lokalizohet patologjia, raporti i saj me organet e tjera dhe vendoset për qasjen më të përshtatshme për tu aplikuar me qëllim të minimalizimit të komplikimeve të mundshme.Vlerësimi dhe planifikimi i qasjes për marrjen e biopsisë

Pastrohet sipërfaqja e trupit nëpër të cilën hyhet me gjilpërë dhe mbulohet ai regjion me mbulesa sterile. Aplikohet anestezioni lokal, bëhet prerjeminimale milimetrike me skalper e mjaftueshme për futjen e gjilpërësbioptike.Vendosja e mbulesës sterile pas pastrimit të vendit të hyrjes së gjilpërës dhe aplikimi i anestezionit lokal

Depërtimi me gjilpërë bioptike realizohet vazhdimisht nën kontroll imazherik (ultratingull, fluoroskopi, tomografi e kompjuterizuar dhe rezonancë magnetike).Mbikëqyrja me tomografi të kompjuterizuar TK e secilit hap të ndërmarrë gjatë realizimit të marrjes së biopsisë, për të qenë i sigurt për rrugëtimin dhe lokalizimin e gjilpërës bioptike

Gjilpëra bioptike futet nëpër rrugëtimin më të shkurtër, më të sigurt dhe më pak të dëmshëm për trupin deri tek procesi patologjik në mushkëri, mëlçi, në gjëndrën tiroide, në gji, në bark, në komblik, në qafë, në muskuj, eshtra dhe veshkë.Vendosja e gjilpërës bioptike në drejtim të procesit ekspansiv në mushkëri djathtas dhe sërish mbikëqyrja imazherike e rrugëtimit dhe e pozitës së gjilpërës

Pas aktivizimit të shkëputjes së gjilpërës bioptike, gjilpëra nxirret, merret mostra e indit dhe ajo vendoset në formalinë për tu ruajtur e mos u dëmtuar deri në leximin e saj nga patologu.Nxjerrja e cilindit mostër nga gjilpëra bioptike pa e dëmtuar atë dhe vendosja në formalinë

Me të përfunduar marrja e biopsisë, bëhet kontrollimi post procedural për të vërtetuar nëse ka komplikime.

Cilat janë patologjitë për të cilat duhen realizuar biopsitë?
Çdo ndryshim i strukturës indore në trup duhet të bioptohet veçmas në rastet e paqartësive diagnostiko dhe prognostike.
Bioptohen patologjitë në gjëndrat submandibulare, në gjëndrat parotide, gjëndrat mbiveshkore, në mushkëri, mëlçi, në gjëndrën tiroide, në gji, në bark, në komblik, në qafë, në tru, në muskuj, eshtra dhe veshkë.

Cilat janë komplikimet e mundshme të biopsisë?
Komplikimet e mundshme gjatë marrjes së biopsisë janë: infeksioni, gjakderdhja, dëmtimi i enëve të afërta të gjakut apo dëmtimi nëpër shtegun e hyrjes së gjilpërës, dhimbja, shpimi i organeve të tjera përreth, në mushkëri është pneumotoraksi, etj.

Ku duhen bërë biopsitë?
Marrja e biopsisë duhet realizuar nëpër institucionet që kanë ekspertë me përvojë të cilat procedurat i punojnë rregullisht duke i respektuar të gjitha fazat e realizimit. Aty komplikimet gjatë marrjes së biopsisë janë shumë të rralla.

Spitali Amerikan në Prishtinë në baza ditore realizon marrjen e biopsisë nën kontrollë të imazherisë nga radiologu si dhe biopsitë ekcizionale me prerje minimale operative nën anestezion lokal të realizuara nga kirurgu.

/Telegrafi/