Në Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj është shënuar Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara.
Në Mitrovicë, në Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Nëna Terezë” është shënuar sot kjo ditë, shkruan Telegrafi.
Me këtë rast nënkryetari i komunës, Arian Tahiri, së bashku me disa asamblistë komunal kanë vizituar fëmijët e Qendrës Burimore “Nënë Tereza”, të cilët janë pritur nga drejtori Skender Avdiu dhe stafi i kësaj qendre.
Tahiri ka zhvilluar disa aktivitete në shkollë së bashku me drejtorin e kësaj qendre, për të cilin tha se po bën punë të jashtëzakonshme.
“Ai ka uruar të gjithë të pranishmit, duke u thënë nxënësve dhe drejtorit se Komuna e Mitrovicës është e gatshme t’u qëndroj në krah për iniciativa tjera”, ka njoftuar Komuna e Mitrovicës.
Në Vushtrri, kjo ditë u shënua me një aktivitet të veçantë për fëmijët me aftësi të kufizuara, ku shijuan lojërat argëtuese dhe u mirëpritën nga maskotat që krijuan momente të këndshme për fëmijët.
Në fund të aktivitetit u shpërndanë dhurata për të gjithë fëmijët, si shenjë mirënjohje dhe kujdesi ndaj tyre, transmeton Telegrafi.
“Pjesë e aktivitetit e që ju drejtuan me nga një mesazh fëmijëve për këtë ditë, ishin nënkryetarja e Komunës së Vushtrrisë, Hava Mlinaku, drejtoresha e Administratës, Hyrie Uka Hoxha, drejtori për Arsim, Albanez Tahiraj, drejtori i HANDIKOS në Vushtrri, Isak Hyseni, si dhe Shemsije Maloku në emër të prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuara”, ka njoftuar Komuna e Vushtrrisë.
Në këtë aktivitet u përçua mesazhi se Komuna e Vushtrrisë mbetet e përkushtuar për të krijuar mundësi të barabarta për të gjithë fëmijët.
Ndërsa, në qytetin e Skenderajt në kuadër të kësaj dite u zhvilluan aktivitete sportive dhe argëtuese me fëmijët.
“Aktivitete sportive e argëtuese me fëmijët nxënës të klasave të bashkëngjitura dhe të rregullta të shkollave tona, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara”, ka njoftuar Komuna e Skenderajt.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura dhe drejtori i Arsimit, Duraku kanë ndarë dhurata për të gjithë fëmijët pjesëmarrës në këto aktivitete. /Telegrafi/