Gjatë ditës së djeshme, në Mitrovicë është mbajtur trajnimi për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Ky trajnim u organizua nga “Instituti Edutask” dhe u mbajt në Qendrën “Diakonie”, shkruan Telegrafi.
Mentori i këtij trajnimi ishte Arben Qirezi, derisa pjesëmarrës ishin profesorë, psikologë, anëtarë të shoqërisë civile dhe qytetarë.
Objektivat kryesore të këtij trajnimi ishin kuptimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe shkaqet e tij, identifikimi i faktorëve të riskut dhe shenjat paralajmëruese, eksplorimi i strategjive për përfshirjen e komunitetit, të mendohet për planet e veprimit për parandalimin e bazuar në komunitet dhe të mendohet se si të përforcohet bashkëpunimi mes palëve të interesit.
Mentori i trajnimit, Qirezi tha se ekstremizmi i dhunshëm i referohet veprimeve dhe besimeve të individëve që mbështesin dhe përdorin dhunën për të arritur qëllime ideologjike, fetare apo politike.
Ndërsa sipas tij, radikalizimi është procesi përmes të cilit individët adoptojnë pikëpamjet ekstreme, të cilat mund t’i qojnë ata të mbështesin ose të angazhohen në aktivitete të dhunshme.
Qirezi është shprehur se kur flasim për ekstremizmin, e kuptojmë vetëm si ekstremizëm religjioz, por sipas tij ky nuk është lloji i vetëm i ekstremizmit.
Më tej, ai ka shtuar se bazuar në diskutimet e mbajtura kanë rënë në përfundim se në Mitrovicë nuk ka ekstremizëm religjioz.
“Në Komunën e Mitrovicës kemi mbajtur diskutime të shumta, kemi përfshirë liderë fetarë dhe të komuniteteve, kemi rënë në përfundim se nuk ka ekstremizëm religjioz. Gjatë luftës në Siri kanë qenë diku rreth 8 persona nga Mitrovica që kanë shkuar për të luftuar”, ka shtuar tutje ai.
Qirezi ka theksuar se me një konsekuencë të institucioneve të Kosovës dhe komuniteteve religjioze, ky lloj ekstremizmi është arritur “të shuhet në rrënjë”.
Më tej ai ka theksuar raste kur një grup i të rinjve nga jugu dhe një nga veriu kanë lënë termine për t’u rrahur. Në këso raste, ai potencoi faktin se këto situata mund t’i parandalojnë komunitetet dhe shkollat.
“Sjelljet e tilla mund të parandalohen nga komunitetet dhe shkollat në mënyrë që t’i edukojnë të rinjtë se sjelljet e tilla të drejtuara ndaj të tjerëve, veçse janë të ndryshëm nga ne, nuk janë të dobishme as për ta e as për shoqërinë”, ka vijuar mentori i trajnimit, Arben Qirezi. /Telegrafi/