Në Mitrovicë, një grup prej 10 studentësh nën drejtimin e artistit Driton Selmani, kanë punuar një vepër arti që shpreh nevojën e mbrojtjes së lumenjve të Mitrovicës.
Kjo vepër arti u vendos në shëtitorën pranë lumit Ibër dhe gjatë ditës së djeshme ajo është djegur, shkruan Telegrafi.
Organizata kulturore “7Arte” e ka kundërshtuar këtë veprim dhe është shprehur e shqetësuar për këtë situatë.
“7Arte” ka thënë se do t’iu drejtohen organeve kompetente derisa autorët të përballen me ligjin.
“Ky akt e bën (edhe pse fatkeqësisht) veprën edhe më të fuqishme, sepse nënvizon sërish se gjuha e artit është e drejtpërdrejtë dhe provokuese, duke gërryer rrënojat e shtresave të mbivendosura paragjykuese të autorëve të vandalizmave të tillë të shëmtuar”, thuhet në reagim.
Tutje në reagimin e organizatës kulturore bëhet e ditur se këtë akt e shohin si frikacak dhe se shprehin keqardhje për këtë “shprehi të vjetëruar”. /Telegrafi/