Telegrafi

Në kufirin Bosnjë-Kroaci u zbuluan emigrantë të cilët po kontrabandoheshin të fshehur në një cisternë kamioni

Në pikën kufitare ndërkombëtare Donji Svilaj ndërmjet Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Kroacisë është parandaluar kontrabanda e katër personave me origjinë afro-aziatike.

Ata, sipas mediave në Bosnjë dhe Hercegovinë, përcjell Telegrafi, ishin fshehur në një cisternë të një kamioni të ndërtuar për këtë qëllim.

Siç ka njoftuar Policia Kufitare e BeH, kontrabanda u parandalua nga anëtarët e Zyrës Qendrore të Hetimit të Policisë Kufitare të BeH-së dhe Njësisë së Policisë Kufitare Brod.

Sipas urdhrit të Gjykatës së Bosnjë-Hercegovinës, autoritetet konfiskuan përkohësisht kamionin, një celular, paratë dhe sende të tjera.

Ndërsa shtetasi i Bosnjë-Hercegovinës, i cili dyshohet për kontrabandë me njerëz, u procedua penalisht. /Telegrafi/