Ministria e Shëndetësisë e Kinës u bëri thirrje sot autoriteteve lokale që të rrisin numrin e klinikave të sëmundjeve infektive, për shkak të rritjes së sëmundjeve respiratorë në sezonin e parë që kur Pekini lehtësoi kufizimet e vendosura gjatë pandemisë Covid-19.
Rritja shkaktoi shqetësim në mbarë botën javën e kaluar kur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i kërkoi Kinës për më shumë informacion, duke cituar një raport të pneumonisë së padiagnostikuar te fëmijët nga Programi i Mbikëqyrjes së Sëmundjeve në zhvillim, transmeton Telegrafi.
Autoritetet kineze dhe OBSH janë akuzuar se nuk janë mjaft transparentë në zbulimin dhe raportimin e rasteve të Covid-19 në fazat shumë të hershme të pandemisë, që shpërtheu në qytetin qendror kinez të Wuhan në fund të vitit 2019.
OBSH tha të premten se asnjë patogjen i ri ose i pazakontë nuk është gjetur në valën e fundit të sëmundjeve respiratorë.
Zëdhënësi i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë, Mi Feng, tha sot se vala e sëmundjeve akute respiratorë lidhet me qarkullimin e njëkohshëm të disa llojeve patogjene, ndër të cilët më i spikaturi është gripi.
“Duhet të bëhen përpjekje për të rritur numrin e klinikave përkatëse, zgjatjen e orarit të punës dhe garantimin e furnizimit me barna”, tha Mi në një konferencë për shtyp.
“Është e nevojshme të parandalohet epidemia, domethënë të kontrollohet në vendet kyçe me një numër të madh njerëzish, si shkollat, institucionet e fëmijëve dhe shtëpitë e të moshuarve dhe të reduktohet fluksi i njerëzve dhe vizitave”, shtoi ai. /Telegrafi/