Telegrafi

Në Kazakistan ndërpritet qasja në internet mes protestave masive për karburantet

Qasja në internet është ndërprerë në Kazakistan mes protestave masive të shkaktuara nga rritja e çmimeve të karburantit.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, protestuesit antiqeveritar në qytetin kryesor, Almaty, vërshuan te zyra e kryetarit të bashkisë të mërkurën. Një pjesë e ndërtesës duket se ishte në flakë.

Protestat kanë shpërthyer edhe në disa qytete të tjera, derisa forcat e sigurisë kanë përdorur gaz lotsjellës dhe granata trullosëse.

Presidenti ka premtuar një përgjigje të ashpër, duke i quajtur protestat një “periudhë të zezë” në historinë e vendit.

“Si president, jam i detyruar të mbroj sigurinë dhe paqen e qytetarëve tanë, të shqetësohem për integritetin e Kazakistanit”, tha Kassym-Jomart Tokayev në një fjalim televiziv. Ai i quajti protestuesit “komplotistë” të cilët ishin “të motivuar financiarisht”.

Shërbimet e internetit në vend janë ndërprerë që nga e marta. Deri të mërkurën, grupi i monitorimit të internetit NetBlocks raportoi se Kazakistani ishte “në mes të një ndërprerjeje të internetit në shkallë kombëtare”. /Telegrafi/