Përkujtimi i masakrës shihej si një simbol i lirisë në vendin e kontrolluar nga Kina dhe çdo 4 qershor, në shi apo në diell, dhjetëra mijëra njerëz mbushnin hapësirat e Victoria Park në Hong Kong në shenjë nderimi ndaj viktimave të masakrës të Sheshit Tiananmen e cila ndodhi në vitin 1989.
Zakonisht atmosfera ishte sfiduese dhe e zymtë.
Ata që mbanin fjalime kërkonin nga Partia Komuniste e Kinës që të merrnin përgjegjësi për urdhrin që ata dhanë në sulmin e përgjakshëm të kryer nga ushtria, ku si pasojë qindra nëse jo mijëra protestues pro-demokratik dhe të paarmatosur humbën jetën në Pekin, para më shumë se 30 vjetësh.
Në përkujtim të të vdekurve, çdo vit në orën 20:00 parku shndërrohej në “det të qirinjve”, të cilët mbaheshin lart nga njerëzit që zotoheshin se kurrë nuk do t’i harronin viktimat, përcjell Telegrafi.
Këtë vit, ndezja e atyre qirinjve do të ishte një test për aspiratat, lirinë dhe marrëdhëniet e Hong Kongut me Kinën dhe pjesën tjetër të botës.
Autoritetet kineze gjithmonë kanë tentuar që t’i fshijnë kujtimet e masakrës nga memoria e njerëzve, duke censuruar të gjitha raportimet e lajmeve, duke i fshirë të dhënat mbi masakrën në internet, duke i arrestuar dhe përndjekur organizatorët e protestave, dhe duke i mbajtur nën masa të rrepta të mbikëqyrjes familjarët e të vrarëve.
Si rezultat i kësaj, shumë gjenerata të reja në pjesën kontinentale të Kinës janë rritur pa asnjë dijeni mbi ngjarjet e 4 qershorit të vitit 1989. /Telegrafi/