Sot u mbajt ceremonia përmbyllëse e Javës Ndërkombëtare të Njeriut me Shkop të Bardhë në Komunën e Gjilanit, ku u nderuan disa qytetarë për kontributin e tyre ndaj komunitetit të verbër.
Ngjarja u organizua nga Shoqata e të Verbërve në Gjilan, me pjesëmarrjen e zyrtarëve institucionalë dhe përfaqësuesve të organizatave të ndryshme.
Në fjalën e tij, kryetari i Shoqatës, Bajram Spahiu, prezantoi aktivitetet e zhvilluara gjatë javës dhe theksoi sfidat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara. Ai vlerësoi angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme nga komuniteti dhe institucionet.
Nga ana tjetër, Bujar Kadriu, Drejtor i Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, dhe Bekim Krasniqi, Menaxher i Trajnimeve dhe Shërbimeve Sociale, ndanë përvojat dhe sfidat me të cilat përballen çdo ditë personat me aftësi të kufizuara, ndërsa përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, Shemsedin Mustafa, diskutoi mbi përpjekjet për avancimin e të drejtave të këtij komuniteti.
Një nga pjesëmarrësit ishte edhe Lutfi Haziri, i cili u shpreh se ndihet i barabartë mes komunitetit të verbër dhe vuri në pah rolin e tij si Anëtar Nderi i Shoqatës.
Haziri rikujtoi se që nga viti 2007 ka punuar në hartimin e ligjit për të verbërit, i cili hyri në fuqi në vitin 2013, dhe theksoi se mbështetja për këtë komunitet është një përkushtim personal që shkon përtej posteve publike.
Ceremonia vazhdoi me ndarjen e mirënjohjeve për individë dhe biznese që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm ndër vite.
Daut Muji dhe Sevdije Ramadani nga diaspora u nderuan për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, ndërsa Furra dhe Pizzerija “Vëllezërit Çoçaj” mori një mirënjohje të veçantë për mbështetjen e aktiviteteve të Shoqatës.
Leotrim Çoçaj pranoi këtë mirënjohje në emër të familjes së tij, duke rikujtuar përkushtimin e të ndjerit Qerim Çoçaj për Shoqatën.
Gjithashtu, zyrtarja e Policisë së Kosovës, Sahadete Sadiku, dhe Shoqata Humanitare “Bereqeti” u nderuan për kontributin e tyre të vlefshëm ndaj qytetarëve dhe komunitetit.
Në këtë ceremoni, Lindita Salihu, Zyrtare për Barazi Gjinore pranë Komunës së Gjilanit, u nderua me titullin “Anëtare e Nderit” të Shoqatës për rolin e saj të rëndësishëm në avancimin e barazisë gjinore.
Kjo ceremoni përmbylli me sukses aktivitetet e Javës Ndërkombëtare të Njeriut me Shkop të Bardhë, duke vënë në pah solidaritetin dhe mbështetjen për komunitetin e të verbërve dhe për personat me aftësi të kufizuara në përgjithësi./Telegrafi/