Site icon Telegrafi

Më në fund zyrtare: Ardian Nuhiu do të jetë trajneri i ri i KF Shkëndijës

Ardian Nuhiu do të jetë trajneri i ri i KF Shkëndijës, i cili do të drejtojë klubin tetovar për dy sezonet e ardhshme.

Zyrtarizimin e Nuhiut si trajner i Shkëndijës, e ka konfirmuar vetë klubi në një njoftim për media, prej ku shprehen të kënaqur për bashkëpunimin me trajnerin shkupjan.

“Klubi i Futbollit Shkëndija me kënaqësi komunikon emërimin e Ardian Nuhiut si shef i stafit teknik të KF Shkëndija. Kryesia dhe tekniku 44 vjeçar kanë firmosur kontratë 2 vjeçare, me çka Nuhiu edhe zyrtarisht fillon punën si trajner i Shkëndijës”, thuhet në njoftim.

Ndërsa Nuhiu pas nënshkrimit të kontratës është shprehur mjaft i lumtur për bashkëpunimin me klubin tetovar.

“Ndjehem shumë mirë që jam këtu. Nëse si futbollist arrita që vitin e parë të fitojmë titull, atëherë edhe projekti të cilin e kemi shpalosur këto ditë që kemi biseduar me drejtuesit ka qenë realisht bindës. Personalisht jam gati për këtë sfidë të re. Do të ndërtohet një skuadër shumë e fortë për të qenë gati në sfidat në Evropë, pastaj të futemi në kampionat”, është shprehur Ardian Nuhiu, pas firmosjes me kuqezinjtë.

Nuhiu te Shkëndija vjen pasi drejtoi disa vite Dritën e Gjilanit me të cilët fitoi titullin kampion dhe Super Kupën, derisa kishte paraqitje pozitive edhe në Kupat e Evropës.

Ndryshe, stafi teknik i Shkëndijës do të kompletohet me fituesin Kupës së RMV-së në sezonin e shkuar me Makedonija Gj.P., Muharrem Bajrami, që nënkupton se bankina kuqezi do të ketë teknikë të rinj por me suksese e tituj të fituar në karrierat e tyre.

Bajrami do të jetë asistent i parë i Nuhiut, ndërsa Andi Kulli do të jetë përgjegjës për video analizat e ndeshjeve. Ivan Jovanovski mbetet trajner kondicional, ndërsa Seladin Mustafi vazhdon si trajner i portierëve./Telegrafi/

Exit mobile version