Finalja e Kupës së Botës la shumë tifozë francezë të pakënaqur për shkak të disa vendimeve të diskutueshme të gjyqtarëve. Disa u konsideruan të padrejta, dhe më e çuditshmja është se VAR-i nuk ndërhyri, raporton Marca.
Një nga këto vendime ishte penalltia për Argjentinën, e cila, kur shihet nga disa këndvështrime, shkaktoi polemika sepse disa besojnë se Angel Di Maria u rrëzua pa asnjë kontakt me Ousmane Dembelen.
Tjetri është goli i dytë i Albicelestes, pasi një faull ndaj Mbappes nuk u dha në fillim të lojës që çoi në golin e Di Marias.
Nëpërmjet platformës ‘MesOpinions’ u formulua një peticion me emrin: “Gjyqtari u ble totalisht, nuk pati asnjë penallti + faull ndaj Mbappes në golin e dytë!!!! Nënshkruani dhe shpërndajeni masivisht që ndeshja të riluhet!”.
Tifozët i janë përgjigjur masivisht peticion që finalja e Kampionatit Botëror të mbajtur në Katar të riluhet dhe tashmë janë mbledhur mbi 200 mijë nënshkrime.
Peticioni është tashmë në top 20 sa i përket shumicës së nënshkrimeve, dhe nëse i kalon gjysmë milioni, do të bëhej një nga tre më të njohurit në platformën franceze.
Për më tepër, komentet kanë vërshuar faqen dhe janë në më shumë se 85,000. Komentet si “Arbitri ishte shumë i dyshimtë” ose “Gjyqtari ishte i korruptuar” ishin disa nga më të spikaturit. /Telegrafi/