Në palestrën sportive në Ferizaj ende nuk ka nisur procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputet të cilët ishin pjesë e garës në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Sipas organizatës “Avonet” të cilët kanë monitoruar e gjithë procesin zgjedhor, ngecjet e tilla janë të pa arsyeshme pasi që sipas tyre disa probleme teknike mund të rregullohen brenda ditës.
Aolta Bajrami, hulumtuese në “Avonet”, ka thënë për Telegrafin se KQZ-ja duhet me urgjencë të nis numërimin e votave për deputet dhe t’i rregullon problemet teknike në sistemin digjital.
“Edhe sot në Qendrën e numërimit të Votave në Ferizaj nuk ka nisur numërimi i procesit për kandidatët për deputet në Komunën e Ferizajt. Salla vazhdon të jetë e zbrazur dhe kjo për rrjetin “Avonet” është shqetësuese, andaj kërkojmë nga komisioni qendror i zgjedhjeve të ndërmarr hapa urgjente për fillimin e procesit të numërimit sepse kjo paraqet një papërgjegjësi totale nga organet kompetente. Kërkojmë që të gjitha telashet dhe problemet teknike të rregullohen dhe të nis procesi i numërimit”, ka thënë Bajrami.
Telegrafi ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga Shaban Rexha, përfaqësues i Komisionit Komunal të zgjedhjeve në Ferizaj, por ai nuk ka qenë i qasshëm.
Ndërkohë, në anën tjetër, KQZ-ja ka njoftuar për vonesat e numërimit të votave në përgjithësi edhe në nivel të vendit. Ky institucion ka njoftuar se pas përfundimit të votimit në vendvotime si dhe pas përfundimit të votimit jashtë Kosovës në përfaqësi diplomatike dhe përmes postës, i gjithë angazhimi i tyre është i përqendruar në shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë.
“Deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare, KQZ duhet të numërojë votat e kandidatëve për deputetë dhe të bëjë verifikimin e votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime; numërimin e votave me kusht; votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat nga votimi jashtë Kosovës. KQZ është e përkushtuar maksimalisht që të gjitha këto procese të kryhen në kohën më të shpejtë të mundur, por duke siguruar saktësi në evidentimin e vullnetit të çdo votuesi”, thuhet në njoftim.
Sipas KQZ-së pavarësisht problemeve të paraqitura rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta.
“KQZ sqaron se integriteti i votës nuk është i cenuar dhe pavarësisht vonesave që janë shkaktuar si pasojë e problemeve me platformën elektronike, rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta dhe të bazuara në vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës së tyre”, thuhet në njoftim.