Një kandidat për kryetar bashkie në Ekuador, i cili u vra vetëm disa orë para hapjes së qendrave të votimit, ka fituar zgjedhjet në qytetin e Puerto Lopez.
Omar Menendez, 41 vjeç, u qëllua për vdekje nga persona të armatosur që hynë në dhomën ku ai ishte me punonjësit e fushatës të shtunën, transmeton Telegrafi.
Në sulm u vra edhe një adoleshent. Policia po heton ende motivin e mundshëm të kësaj ngjarjeje.
Një anëtar i partisë së Menéndez pritet të zëvendësojë politikanin e vrarë si kryetar bashkie.
Zgjedhjet komunale u mbajtën gjatë një vale të përshkallëzuar krimi të lidhur me ndikimin në rritje të bandave të dhunshme të drogës në Ekuador.
Menéndez nuk ishte i vetmi politikan që u vra në prag të zgjedhjeve. Dy javë më parë, u qëllua për vdekje edhe kandidati për kryetar bashkie të qytetit bregdetar të Salinas, Julio César Farachio.
Policia ka arrestuar një të dyshuar për vrasjen e Farachios, i cili e kishte kërcënuar më parë kandidatin 45-vjeçar.
I dyshuari ishte liruar së fundi nga burgu pasi kishte vuajtur dënimin për trafik droge, njoftuan mediat lokale.
Asnjë arrestim nuk është bërë deri më tani për rastin Omar Menéndez, sulmuesit e të cilit u larguan me një motoçikletë. /Telegrafi/