Site icon Telegrafi

Në Drenas shënohet 116-vjetori i Kongresit te Manastirit

Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Drenasit organizoi manifestimin historik në përkujtim të 116-vjetorit te Kongresit te Manastirit.

Në këtë manifestim morën pjesë, nënkryetari i komunës, Arben Shala, drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Enkela Dema, drejtorë shkollash, profesorë e qytetarë të shumtë.

Nënkryetari i komunës, Arben Shala, hapi manifestimin me një fjalë rasti, duke theksuar se ky kongres historik përfaqëson një moment të rëndësishëm për kulturën dhe gjuhën shqipe, duke sjellë standardizimin e alfabetit të saj. Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Drenasit, ndër të tjera, theksoi se kjo ngjarje, që la një gjurmë të thellë në rrugëtimin tonë kombëtar, përmban një mesazh të fuqishëm për bashkëpunimin, unitetin dhe angazhimin për ruajtjen e vlerave që na bashkojnë si komb. Ndërkohë, mbi historikun dhe ndikimin e Kongresit të Manastirit në formësimin e identitetit kombëtar shqiptar, paraqiti një përmbledhje profesori i historisë Ragip Hamza.

Kujtojmë se, Kongresi i Manastirit, i mbajtur më 14-22 nëntor 1908 në Manastir, unifikoi alfabetin e gjuhës shqipe. Të mbledhur nga intelektualë dhe patriotë shqiptarë, delegatët vendosën të përdorin alfabetin latin, duke përjashtuar alfabetet e tjera. Ky vendim ishte një hap i rëndësishëm për forcimin e identitetit kombëtar dhe përparimin kulturor të shqiptarëve./Telegrafi/

Exit mobile version