Përralla e Leicester është e bukur, por në Champions League duhet të shkojë Manchester United.
Charlie Stillitano, ish-drejtues i FIFA-s, ortak i Stephen Ross, miliarderi amerikan që po punon për projektin e Super Ligës Europiane, gjatë një interviste për radion amerikane “Sirius XM”, ka pranuar se në takimin e zhvilluar të martën në Londër, ku kanë marrë pjesë drejtuesit e Chelsea, Arsenal, Manchester United, Manchester City dhe Liverpool, nuk ka pasur vetëm disa sugjerime për Champions League, “por kemi folur edhe për një Super Ligë. Përralla e Leicester është shumë e bukur, spektakolare, por duhet marrë parasysh edhe këndvështrimi i Manchester United”, ka thënë Stillitano.
“Është e kuptueshme që United të bëjë një arsyetim të tillë: ‘Cili klub e ka bërë futbollin të madh, ne apo Leicester?’”.
Stillitano, 55 vjeç, me origjinë italiane, ka pasur një jetë me ulje-ngritje, me suksese dhe dështime. Si drejtuesi i Metro Stars ka dërguar nef futbollin amerikan Roberto Donadonin, por deliri i tij i madhështisë ka bërë që projekti të dështojë. Ai është kthyer në botën e futbollit në fillimin e mijëvjeçarit të ri, duke u marrë me marketing. Pas një bashkëpunimi me Chinaglia-n në 2003-in ka përfunduar në gjyq, në një proces që ka zgjatur gjashtë vite, me dënime dhe dëmshpërblime. Rilindja ka ardhur falë takimit me Ross dhe organizimin e International Champions Cup. Stillitano është një simbol i jetës amerikane: suksese, rënie dhe rilindje. Me një pikë referimi të vetme: paratë.