Site icon Telegrafi

Në Binçë të Vitisë përurohet sheshi dhe bëhet zbulimi i bustit Mark Sopi

Me një manifestim të hapur, në Binçë të Vitisë është përuruar sheshi dhe është bërë zbulimi i bustit të Imzot Mark Sopit.

Në një fjalë rasti, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, u shpreh se është një ditë e shënuar për të gjithë ata që e kanë njohur dhe kanë përfituar nga mësimet e Imzot Mark Sopit dhe udhëheqja e tij shpirtërore.

“Mark Sopi Ishte një figurë e jashtëzakonshme, një udhëheqës shpirtëror që gjatë gjithë jetës së tij, ia kushtoi Kishës dhe shërbesës së popullit. Lindi më 1938 në këtë fshat, pra në Binçë dhe që nga mosha e re tregoi një prirje të fortë për jetën shpirtërore dhe përkushtimin ndaj Zotit. Sot, po në vendlindjen e tij, po e përurojmë këtë bust dhe këtë shesh, në shenjë nderimi e kujtimi për veprën e tij që e la gjatë jetës me një kontribut të çmuar prej atdhetari” u shpreh kryetari Haliti.

Ai ndër të tjera tha se Imzot Mark Sopi gjithmonë përpiqej të ndihmonte ata që ishin në nevojë, prandaj sipas tij, ky bust e ky shesh është një simbol i përkushtimit dhe dashurisë së tij për Zotin dhe popullin shqiptar.

Ai thekson se ky bust do të shërbejë si një frymëzim për brezat e ardhshëm.

Ndryshe, në këtë ngjarje i pranishëm pos kryetarit të komunës së Vitisë, Sokol Haliti ishin edhe personalitetet të shumta nga jeta publike, përkatësisht nga Institucionet qendrore, ish ministra, ambasador, veteranë të luftës e klerikë fetar të bashkësive fetare dhe mysafirë të shumtë. /Telegrafi/

Exit mobile version