Telegrafi

Ndryshohet rregullorja, gjuha rome bëhet si gjuhë në përdorim zyrtar në Komunën e Prizrenit

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit të martën njëzëri kanë votuar për miratimin e vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për përdorimin e gjuhëve në Komunën e Prizrenit, për të përfshirë në dispozitat e këtij akti edhe gjuhën rome si gjuhë në përdorim zyrtar.

Propozimi për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores është prezantuar para anëtarëve të Kuvendit nga udhëheqësi i Njësisë për komunikim me publikun, Ymer Berisha.

“Projekt-rregullorja është ndryshuar në një nen, e kemi shtuar një fjali, ku gjuha rome është gjuhë zyrtare në përdorim”, ka thënë Berisha, raporton Telegrafi.

Ai ka përkujtuar se vendimi për gjuhën rome si gjuhë në përdorim zyrtar është aprovuar më herët në këtë organ dhe se me ndryshimin e plotësimin e rregullores përmbyllet vendimmarrja administrative lidhur me këtë çështje.

“Me vendimin e sotëm qytetarët e komunitetit rom mund ti drejtohen Komunës së Prizrenit me kërkesën për përkthimin e dokumenteve në gjuhën rome. Komuna e Prizrenit me kujdesin maksimal, human dhe etik ka zhvilluar të gjithë procedurat dhe kjo e sotit është e fundit, dhe kështu e përmbyllim vendimmarrjen administrative për qytetarët romë dhe e kam kënaqësinë që të kërkoj nga ju që vota të jetë unanime për arsye të qëllimit që është shumë i mirë”, ka deklaruar Berisha.

Anëtari i Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Karanfil Haxhillari duke shprehur mirënjohje për angazhimin e aktivistëve të komunitetit rom lidhur me këtë cështje, ka theksuar se subjekti i tij përkrah ndryshimin e rregullores meqë komuniteti rom e pasuron koloritin e komuniteteve në Prizren.

Kolegu i tij opozitar, Islam Thaqi (LVV) duke shprehur përkrahjen për këtë vendimmarrje ka bërë thirrje që organet komunale ti zbatojnë dispozitat e rregulloreve që miratohen në Kuvendin e Komunës.

Pas diskutimeve vendimi është miratuar njëzëri nga 27 anëtarët e pranishëm në seancë.

Ndërkaq aktivisti nga radhët e komunitetit rom, Fatmir Menekshe është shprehur i kënaqur me formalizimin administrativ të gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar në Komunën e Prizrenit. “Falënderoj të gjithë kuvendarët që votuan pro ndryshimit dhe plotësimit të Rregullores për përdorimin e gjuhëve. Gjithashtu edhe Ekzekutivin e Komunës së Prizrenit për bashkëpunimin e ofruar si dhe aktivistët e komunitetit rom dhe të koalicionit ad-hoc për angazhimin e tyre”, ka thënë Menekshe për Telegrafin.

Kuvendi i Komunës së Prizrenit në fund të vitit 2022 pat miratuar vendimin për njohjen e gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar.