Telegrafi

Ndryshimi i orës, përfitim i dyshimtë

Ndryshimi i orës dy herë në vit për të shfrytëzuar më shumë dritën diellore dhe për të kursyer energji në ndriçim dhe ngrohje, është një teori që filloi të zbatohej në Luftën e Parë Botërore, por përfitimet reale nga kjo praktikë janë shumë të dyshimta. Ekspertët vlerësojnë se në shumë vende, praktika e orës energji-kursyese është kopjuar pa u menduar gjatë, gjë që e bën këtë masë të pavlefshme. Në fakt, shumica dërrmuese e popullatës së botës nuk përballet me çrregullimin që sjell ndryshimi i orës për Perëndimin, ndërsa brezat orare konvencionale, e bëjnë orën energji-kursyese një praktikë të pavlefshme nga pikëpamja energjetike. 

Si lindi

Në kohët e lashta, njeriu e shfrytëzonte më së miri dritën e diellit, sepse flinte pak dhe ngrysej e zgjohej menjëherë pasi zbardhte dita. Por, gjatë shekullit të 19, industrializimi i shpejtë bëri që njerëzit të mësoheshin të çoheshin në orën 08.00, apo në orën 09.00, pavarësisht stinës dhe orës së daljes së diellit.

Në vitin 1905, një anglez arsyetoi se çfarë mund të bëhej kundër kësaj praktike. Gjatë verës, njerëzit humbitnin tre-katër orë ditë duke fjetur. Gjatë Luftës së Parë Botërore, Gjermania dhe aleatët e saj e vunë në zbatim këtë praktikë, si masë për të rritur eficensën në punë, (për t‘i bërë njerëzit të punonin sa më gjatë të ishte e mundur).

Ora e ndryshme vijoi të përdorej edhe pas luftës, në kohë paqeje, me argumentin se kursen energjinë për ndriçim. Por, ekspertët thonë se përfitimet në këtë rast janë minimale. Për ndriçim shkon një pjesë e papërfillshme e energjisë së konsumuar, rreth 2-3 për qind, ndërsa për një orë ndriçim përfitimi është me qindarka.

Një çështje politike

Përcaktimi i brezit orar, si dhe ndryshimi i orës, shpesh konsiderohet një çështje politike. Irani anuloi dy vite më parë ndryshimin e orës, ndërsa kritikët thanë se vendi "po humbiste energji". Disa vende të Ballkanit e kanë vendosur veten gabimisht në brezin orar të Evropës Qendrore, gjë që i bën të mos e shfrytëzojnë siç duhet dritën diellore. Shqipëria është një nga këto vende. Gjatë verës, këtu dielli perëndon në orën 20.30, ndërkohë që në Sofje e Athinë perëndon në 21.30. Por shumë vende të Ballkanit nisen nga emri i brezit orar. Ata besojnë se duke kaluar në brezin e orës së Evropës Qendrore, largohen nga lindja dhe afrohen nga perëndimi.