Ndotja e ajrit në qytetin e dytë më të madh të Pakistanit, Lahore, u rrit të shtunën më shumë se 40 herë mbi nivelin e konsideruar të pranueshëm nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), me një zyrtar që e quajti atë rekord të lartë.
Niveli i ndotësve vdekjeprurës PM2.5 – grimcat e imëta në ajër që shkaktojnë dëme për shëndetin -arriti kulmin në 610.
Indeksi i cilësisë së ajrit, i cili mat një sërë ndotësish, u rrit gjithashtu në 1067.
“Ne kurrë nuk kemi arritur një nivel prej 1,000”, tha Jahangir Anwar, një zyrtar i lartë i mbrojtjes së mjedisit në Lahore.
Bëhet e ditur se për ditë të tëra, Lahore është përfshirë nga “smogu”, një përzierje e mjegullës dhe ndotësve të shkaktuar nga tymi i naftës me cilësi të ulët, tymi nga djegia sezonale bujqësore dhe ftohja dimërore, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Indeksi i cilësisë së ajrit do të mbetet i lartë për tre deri në katër ditët e ardhshme”, tha Anwar.
Së fundmi, agjencia provinciale e mbrojtjes së mjedisit njoftoi kufizime të reja në qytet.
Zyrat qeveritare dhe kompanitë private do të dërgojnë gjysmën e stafit të punojnë nga shtëpia.
Punimet e ndërtimit janë ndalur dhe shitësit ambulantë dhe ushqimorë, të cilët shpesh gatuajnë në zjarre të hapura, duhet të mbyllen në orën 20:00.
Ndryshe, smogu është veçanërisht i theksuar në dimër, kur ajri i ftohtë dhe më i dendur bllokon emetimet nga karburantet me cilësi të dobët që përdoren për të fuqizuar automjetet dhe fabrikat e qytetit në nivelin e tokës. /Telegrafi/