Site icon Telegrafi

Ndodh edhe kjo, Koreja e Veriut po e lufton coronavirusin me çaj xhenxhefili – ujë me kripë e hudhër

Koreja e Veriut është duke luftuar dhe bërë të pamundurën që ta ndalë përhapjen e mëtejme të pandemisë së COVID-19.

Numri i të infektuarve ka shkuar në tre milionë, e qytetarët nuk janë të vaksinuar, dhe për ta parandaluar përkeqësimin e gjendjes së tyre shëndetësore po mbështeten në mjekësinë alternative.

Siç raporton BBC, virusi në mënyrë të pakontrolluar po përhapet në popullatën e pavaksinuar, që nuk ka qasje fare në ilaçet e ndryshme kundër coronavirusit, transmeton Telegrafi.

Lideri suprem i këtij vendi me këmbëngulësi po refuzon ndihmën mjekësore nga jashtë, e mediat e atjeshme u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mbështeten në trajtimet tradicionale për t’u shëruar nga COVID-19 që ata i referohen si “grip”.

Për ata që nuk janë rëndë të sëmurë, gazetat që sponsorohen nga partia në pushtet, rekomandojnë barnat si çaj prej xhenxhefili ose pije prej shelgjeve. Këto ilaçe ndryshe sipas verikoreanëve ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjeve – megjithatë nuk janë efektive kundër coronavirusit.

Madje disa media tjera u kanë rekomanduar edhe përdorimin e ujit me kripë. E një çift në televizionin e këtij shteti, ka porositur qytetarët ta përdorin ujin me kripë në mëngjes dhe mbrëmje.

Sikur kjo të mos mjaftonte, janë dërguar mijëra tonelata kripë dhe hudhër në Pyongyangh si “zgjidhje e problemit”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version