Kemi dëgjuar raste kur qytetarë të shumtë arratisen nga Koreja e Veriut në kërkim të një jetë më të mirë në Korenë e Jugut – por e kundërta ka ndodhur këto ditë kur një person përmes kufirit tokësor u fut në Korenë e Veriut.
Siç ka njoftuar Komiteti i Përbashkët i Shtabit të Koresë së Jugut, ky person u zbulua të shtunën rreth orës 21:20, ku me ndihmën e pajisjeve për mbikëqyrje në “zonën e demilitarizuar” që ndanë dy Koretë, u fut nga Koreja e Jugut në atë të Veriut, transmeton Telegrafi.
“Është konfirmuar se ky person kaloi linjën ushtarake përgjatë kufirit në veri”, thuhet ndër tjera në kumtesë.
Personi i lartpërmendur akoma nuk është identifikuar, ka bërë të ditur një zyrtar i Komitetit, duke shtuar se autoritetet jugkoreane i kanë dërguar mesazh verikoreanëve lidhur me incidentin. Madje ushtria është vënë në kërkim të tij – por pa ndonjë rezultat.
Për shkak të varfërisë dhe represionit mbi 30 mijë njerëz kanë ikur nga Koreja e Veriut në atë të Jugut (nga lufta e Koresë nga 1950-1953), por kalimet në anën tjetër janë tejet të rralla. /Telegrafi/