Telegrafi

Ndërtimi i tualetit publik, ndalohet përkohësisht qarkullimi i automjeteve në urë

Komuna e Prizrenit ka njoftuar qytetarët se ka filluar të zbatohet ndalimi i qarkullimit të përkohshëm me automjete në urën që lidh rrugët “Remzi Ademaj” dhe “Suzi Çelebiu”, përballë objektit të Administratës së Komunës së Prizrenit respektivisht te parkingu i komunës, për shkak të fillimit të ndërtimit të tualetit publik në këtë lokacion.

“Kjo masë e përkohshme synon ta lehtësojë punën e ndërtimit”, thuhet në njoftimin e Komunës shkruan Telegrafi.

Punimet në këtë projekt janë inauguruar javë më parë me ç’rast nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi pat shprehur bindjen se në partneritet me aktivitetin e USAID-it “Kontrata Sociale” synohet ndërtimi i objektit sanitar publik të qasshëm për të gjithë. “Është një prej projekteve që i ka munguar qytetit të Prizrenit, në periudhën që po kalon, duke pas parasysh zhvillimin e hovshëm dhe ardhjen e shumë vizitorëve dhe turistëve. Besoj që do të jetë një prej projekteve që e kompleton qytetin e Prizrenit sa i përket infrastrukturës”, është shprehur Gashi.

Ndërsa drejtori i Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj ka sqaruar se vlera e përgjithshme e këtij projekti është 135 mijë euro, ku 20 përqindëshi i kësaj vlere financohet nga USAID-i.

Ndërkaq Antigona Shestan, aktiviste e shoqërisë civile ka bërë të ditur se komuniteti i Personave me aftësi të kufizuara ka dorëzuar kërkesë për një projekt të tillë që nga viti 2016, për shkak të mungesës së objektit sanitar publik të qasshëm për të gjitha kategoritë./Telegrafl/.