Site icon Telegrafi

Ndërtimi i stadiumit të Gjilanit – Ministria e Kulturës hedh poshtë pretendimet për pezullimin e prokurimit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit  ka reaguar ndaj aludimeve për pezullimin e procesit të prokurimit për ndërtimin e stadiumit në Gjilan, duke theksuar se këto pretendime nuk janë të sakta.

Në një sqarim publik, MKRS ka bërë të ditur se procedura e prokurimit për këtë projekt vazhdon pa ndërprerje.

“Njoftojmë opinionin publik, mediat dhe gazetarët e interesuar se raportimi për pezullimin e tërësishëm të procedurës së prokurimit për ndërtimin e stadiumit të Gjilanit, nuk është i saktë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Lexo po ashtu Pezullohet sërish tenderi për Stadiumin e Gjilanit pas ankesave nga operatorët ekonomikë

Sipas MKRS, ligji u garanton operatorëve ekonomikë të drejtën për të paraqitur kërkesa për rishqyrtim në rast të mospajtimeve me rezultatin e tenderit.

Në këtë rast, janë dorëzuar të paktën dy kërkesa për rishqyrtim, çka sipas ministrisë, ka sjellë pezullimin e përkohshëm të afateve procedurale, por jo të gjithë procesit të prokurimit.

Ministria ka theksuar se ky pezullim është i përkohshëm dhe do të zgjasë deri në shqyrtimin e këtyre kërkesave, një proces që pritet të përmbyllet brenda pesë ditësh.

Pas kësaj, do të vijojnë hapat e mëtejshëm deri në nënshkrimin e kontratës dhe fillimin e punimeve. /Telegrafi/

Exit mobile version