Telegrafi

Ndërtesa e ish-ndërmarrjes “Liria” do të rrënohet për zgjerimin e rrugës në “Bazhdarhane” të Prizrenit

Kryetari i Komunë së Prizrenit, Shaqir Totaj ka njoftuar se pas përfundimit të procedurave të shpronësimit, më 8 tetor 2024 do të fillojë rrënimi i ndërtesës së ish-ndërmarrjes “Liria”, në lagjen “Bazhdarhane”.

Hapësira  e krijuar pas rrënimit të kësaj ndërtese sipas tij do të shfrytëzohet për zgjerimin e rrugës.

“Ky projekt do ta përmirësojë infrastrukturën rrugore në këtë zonë të rëndësishme të qytetit, me qëllim lehtësimin e trafikut dhe përmirësimin e qasjes për banorët dhe vizitorët”, ka bërë të ditur Totaj.

Drejtori i Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, Islam Ukimeri ka theksuar se ky dikaster komunal i ka bërë përgatitjet për rrënimin e kësaj ndërtese dhe pastrimin e terrenit.

“Pas përfundimit të procedurave lidhur me objektin e ish-ndërmarrjes “Liria” në Bazhdarhane, DI-ja me kërkesën e DSHP-së për mënjanimin e objektit, ka bërë përgatitjet që me datën 8 tetor nga ora 10 ta fillojmë rrnëimin e atij objekti. Do të merr pak kohë rrënimi dhe pastrimi i terrenit. Por me lirimin e asaj hapësire do të krijohen kushte më të mira për lëvizjen e qytetarëve”, ka deklaruar Ukimeri për Telegrafin.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj ka përkujtuar se rrënimi i kësaj ndërtese ka qenë zotim i kryetarit Totaj dhe se pas zhvillimit të të gjitha procedurave tashmë prona në fjalë është bartur në emër të Komunës.

“Si drejtori kemi hapur një procedurë për projektimin e asaj pjese për ta funksionalizuar komunikacionin në të dyja kahet. Projekti është gati dhe pas ekzekutimit të punimeve të rrënimit nga DI-ja, ne si DShP me kontratat tonë kornizë do ta bëjmë rirregullimin e asaj pjese, duke e zgjeruar edhe rrugën për të lehtësuar qarkullimin për qytetarët”, ka thënë Lamaj.

Sipas tij, zbatimi i këtij projekti i hap rrugën edhe zbatimit të planit për ndërtimin e parkingut nëntokësor në këtë zonë.

“Ky projekt i paraprinë një projekti tjetër që është në procedurë, pra për ndërtimin e parkingut nëntokësor prapa ‘Shtëpisë së Bardhë’, ku do të zhvillohet një infrastrukturë e objekteve mbitokësore, dhe mes këtij projekti do të kemi hyrjet e daljet e parkingut”, ka deklaruar Lamaj për Telegrafin.

 

Sipas tij në plan është edhe zgjerimi i rrugës nga Qendra për punësim deri te “Shtëpia e Bardhë”.

“Njëkohësisht me ndryshimin e Hartës Zonale, pas Planit Zhvillimor Komunal, edhe fyti i ngushtë prej Entit për punësim deri te ‘Shtëpia e Bardhë’ do të mënjanohet me zgjerimin e rrugës dhe kësisoj gradualisht do të përmbushen premtimet e kryetarit Totaj”, ka thënë Lamaj. /Telegrafi/