Disa vende u kanë kërkuar shtetasve të tyre të largohen nga Libani, pasi frika rritet për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Irani është zotuar për një hakmarrje “të ashpër” kundër Izraelit, të cilin e fajëson për vdekjen e shefit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran të mërkurën, në anën tjetër Izraeli nuk ka komentuar.
Vrasja e tij erdhi disa orë pasi Izraeli vrau komandantin e lartë të Hezbollahut, Fuad Shukr në Bejrut, transmeton Telegrafi.
Zyrtarët perëndimorë kanë frikë se Hezbollahu, një milici dhe lëvizje politike e mbështetur nga Irani me bazë në Liban, mund të luajë një rol kyç në çdo hakmarrje të tillë, e cila nga ana tjetër mund të shkaktojë një përgjigje serioze izraelite.
Përpjekjet diplomatike të SHBA-së dhe vendeve të tjera perëndimore vazhdojnë për të ulur tensionet në të gjithë rajonin. Një numër në rritje fluturimesh janë anuluar ose pezulluar në aeroportin e vetëm tregtar të vendit në Bejrut.
SHBA, Britania e Madhe, Australia, Suedia, Franca, Italia, Kanadaja, Koreja e Jugut, Arabia Saudite dhe Jordania, janë ndër vendet që u kanë kërkuar qytetarëve të tyre të largohen nga Libani sa më shpejt të jetë e mundur.
Frika nga një përshkallëzim që mund të përfshijë Libanin është në kulmin e tyre, që kur Hezbollahu filloi sulmet e tij ndaj Izraelit, një ditë pas sulmeve vdekjeprurëse të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, në mbështetje të palestinezëve në Gaza. /Telegrafi/