Është ndërprerë ndeshja në mes të Shkupit dhe Shkëndijës që ishte duke u zhvilluar në kuadër të çerekfinales së Kupës së Maqedonisë së Veriut.
Përballja nisi me një situatë të qetë, por që gjithçka ndryshoi me golin e shënuar në minutën e 9-të.
Tensionet filluan kur ekipi tetovar shënoi gol përmes Dashmir Elezit, ndërsa golashënuesi shkoi për të festuar afër tifo grupit Shvercerat.
Për të qetësuar ngjarjen, kanë ndërhyrë edhe forcat policore, por situata nuk u qetësua.
Edhe pas disa bisedimesh me tifozët shkupjanë, gjërat nuk u normalizuan dhe më pas rrodhi vendimi zyrtar se ndeshja duhej ndërprerë.
Më poshtë mund ta lexoni njoftimin e plotë nga Shkëndija:
Dueli i çerekfinales së Kupës së Maqedonisë së Veriut ndërmjet Shkupit dhe Shkëndijës është ndërperë pas vetëm 9-të minutave lojë me rezultat momental 1:0 për Shkëndijën.
Sulmi ndaj futbollistëve kuqezi pas golit të Elezit, hyrja e disa tifozëve vendas në terren dhe gjuajtjet me fishekzajre e gjësende të forta në drejtim të futbollistëve të Shkëndijës bëri që fillimisht forcat e sigurisë të urdhërojnë tërheqjen e ekipit të Shkëndijës në zhveshtore për shkaqe sigurie.
Pas mbledhjes së delegatit, arbitrave të takimit, komesarëve të sigurisë së dy klubeve dhe FFM-së, përfaqësuesit të MPB-së së Shkupit përgjegjës për sigurinë e kësaj ndeshje dhe përgjegjësve nga Komisioni për gara pranë FFM-së u vendos se nuk ka kushte sigurie për vazhdimin e ndeshjes.
Për vendim përfundimtar rreth epilogut pasojnë raporte shtesë për ngjarjet në këtë ndeshje nga ana e delegatit, përfaqësuesit për siguri pranë FFM-së dhe arbitrave të ndeshjes. /Telegrafi/