Site icon Telegrafi

Ndërpritet përballja mes Trepçës dhe Pejës

As zbrazja e një pjese të tribunës në palestrës “Minatori” dhe më pas edhe zbrazja tërësisht e tribunave, nuk ka krijuar kushte të mjaftueshme për t’u vazhduar ndeshja ndërmjet Trepçës dhe Pejës.

Presioni i vazhdueshëm i tifozëve në drejtim të basketbollistëve dhe hedhja e gjësendeve në fushë, bëri që gjyqtarët dhe delegati i ndeshjes të largohen drejt zhveshtores, prej nga morën vendim që ta ndërpresin përfundimisht ndeshjen, kur kishte mbetur edhe 5 minuta e 51 sekonda deri në përfundim të çerekut të tretë, derisa rezultati ishte 47-54 në të mirë të Pejës – transmeton Borozani.

Me këtë vendim, Peja pritet ta fitojë ndeshjen në tavolinë, ndërsa Trepça pritet të dënohet rëndë nga Liga Ballkanike dhe nuk do ta merr as pikën e humbësit.

Theksojmë se tifozët e Trepçës, Torcida, më herët u detyruan ta lëshojnë sallën pas vendimit të gjyqtarëve për shkak të hedhjes së vazhdueshme të gjësendeve në parket.

Ndryshe, KB Trepça dhe KB Peja luanin në kuadër të fazës grupore në Ligën Ballkanike. Skuadra vendase shënoi dy pikë më shumë se vizitorët në çerekun e parë (22:20). Në fraksionin e dytë, mysafirët realizuan dhjetë pikë më shumë se kundërshtari (16:26) dhe shkuan në pushim me epërsi (38-46). Ndërkaq, në fraksionin e tretë u ndërpre loja.

Exit mobile version