Site icon Telegrafi

Ndërprerje të furnizimit me ujë në disa fshatra të Istogut për shkak të thatësirës

KRU “Hidrodrini” ka njoftuar për ndërprerje të detyrueshme të furnizimit me ujë në disa fshatra të komunës së Istogut.

Banorët e fshatrave Studenicë, Kaliqan dhe Orroberrdë, që furnizohen përmes sistemit të pompave, do të përballen me ndërprerje ditore të furnizimit.

Sipas një postimi në rrjetin social Facebook nga KRU “Hidrodrini,” ndërprerjet janë të nevojshme edhe për fshatrat Shushicë e Epërme, Shushicë e Poshtme dhe Bollopojë, për shkak të mungesës së ujit në burimet e krojeve të Bjeshkës, në Burim të Vrellës.

“Ndërprerje të detyrueshme të furnizimit me ujë për konsumatorët e fshatrave  Studenicë, Kaliqan dhe Orroberrdë, të cilët furnizohen me sistem të pompave. Poashtu për shkak të paraqitjes së mungesës të ujit në krojet e Bjeshkës, në Burim të Vrellës, ndërprerje të detyrueshme janë aplikuar edhe në fshatrat Shushicë e Epërme, Shushicë e Poshtme dhe Bollopojë”, kanë shkruar ndër të tjera ata.

Sipas KRU “Hidrodrini”, ndërprerjet do të jenë në fuqi çdo ditë nga ora 09:00 deri në ora 15:00, deri në njoftimin e radhës. /Telegrafi/

Exit mobile version