Erërat e forta gjatë së shtunës kanë krijuar probleme me energji elektrike në disa komuna.
KEDS, ka njoftuar se nga erërat e forta, deri më tash në mbi 98% të rajoneve të përmendura, gjendja me furnizim me energji elektrike tashmë është përmirësuar.
Sipas KEDS, një gjendje pak më e rënduar vazhdon akoma në një pjesë të regjionit të Pejës, pjesërisht edhe në Prishtinë, Gjakovë, Gjilan dhe Mitrovicë.
“Ekipet e KEDS-it akoma janë në terren dhe po punojnë edhe në orët e vona dhe shpresojmë që gjatë natës së sontme dhe paraditën e së hënës, të gjitha dëmet e shkaktuara nga erërat të sanohen dhe furnizimi me energji elektrike t’u kthehet konsumatorëve tanë”, thuhet në njoftim.
Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC) dhe njohësi i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh, Tahir Ahmeti, ka thënë se erërat e forta që filluan nga mëngjesi i të shtunës, hyjnë në kategorinë e fatkeqësive natyrore dhe si të tilla janë mjaftë të rrezikshme e të shkaktojnë dëme, por në këtë mënyrë mund të rrezikojnë jetën e vet qytetarëve të vendit.
Ai theksoi se qeveria duhet të mendojë që në një plan afatgjatë të dijë që të menaxhojë me këto fatkeqësi, qoftë në ndarjen e mjeteve apo pakësimin e këtyre fatkeqësive natyrore.
Sipas tij, instituti si institucion ligjor është i obliguar që t’i njoftojë qoftë institucionet apo qytetarët në mënyrë që të kenë kujdes të shtuar gjatë lëvizjeve të tyre.
Pas erërave, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar mundësinë e vërshimeve gjatë datën 27 shkurt 2023 në disa pjesë të Kosovës.
Situatë më e ngarkuar parashihet të jetë në pjesën perëndimore të vendit, kryesisht në sistemet e lumenjve, Klina, Lumi Istogut, Drini Bardhë (rrjedha e sipërme), Bistrica e Pejës, Deçanit, Ereniku, dhe në lindje, pellgu Morava e Binçës./Telegrafi/