Ndërmarrja publike lokale “Eko-Theranda” gjatë javë së shkuar është regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës.
Lidhur me këtë zhvillim janë njoftuar edhe anëtarët e Bordit të NPL “Eko-Theranda” gjatë një takimi të zhvilluar me ftesën e kryesuesit të Komisionit Komunal të aksionarëve të kësaj ndërmarrjeje, Bexhet Kuçi, raporton Telegrafi.
“Njëherësh u kërkua nga të pranishmit që të fillojnë procedurat për shpalljen e konkursit për Kryeshefin Ekzekutiv të Ndërmarrjes publike “Eko-Theranda””, thuhet në njoftimin e Komunës së Suharekës.
Kjo komunë kërkesën për themelimin e kësaj ndërmarrjeje publike lokale e kishte parashtruar në vitin 2020. Në tetor të vitit 2023, Qeveria e Kosovës pat marrë vendim për aprovimin e kësaj kërkese.
Funksioni primar i kësaj ndërmarrjeje është ofrimi i shërbimeve publike komunale.
Në bazë të dhënave të publikuara në ARBK aktiviteti kryesor i ndërmarrjes do të jetë shërbimi i mirëmbajtjes dhe kujdesit të shesheve e mjedisit, derisa aktivitetet tjera përfshijnë pastrimin e ndërtesave, menaxhimin e mbeturinave, instalime elektrike, kanalizimi, etj. /Telegrafi/