Depresioni si një ndër problemet interenalizuese më i përhapuri në shoqëritë e ditëve tona, i cili prek periudha të ndryshme të zhvillimit, ka një efekt të konsiderueshëm në mirëqenien e individit. Po ashtu, përdorimi i drogës apo narkomania përbën një problem të madh në botë dhe në vendin tonë ku vazhdimisht është në tendencë të rritjes
M.Sc. Besnik Kadriu
Psikolog klinik / Psikoterapeut
tel. 044 434 324
Depresioni është çrregullimi më i zakonshëm tek adoleshentët dhe të rriturit. Është një çrregullim mendor që afekton aspektet emocionale dhe kognitve që interferojnë funksionimin ditor të individit.
Simptomat e zakonshme përfshijnë humbjen e motivimit, pikëllim, dhimbje, vështirësi në koncentrim, rritjen e elaborimit negativ të informacioneve. Personat me një disponim të këtillë kanë një të folur dhe të komunikuar negativ me vetën e tyre dhe në raport me eksperiencat e tyre, që tregon të humburit e vetëvlerësimit dhe se e shohin vetën si të pavlefshëm.
Problemet me depresion tek adoleshentët janë të shoqëruara me efektet të tjera negative për mirëqenien psikologjike dhe sociale. Studimet e ndryshme kanë treguar se problemet me depresion tek adoleshentët janë të asociuara dhe predikojnë zhvillimin e varësisë ndaj alkoolit dhe abuzimim me substanca.
Ndërlidhja mes këtyre variablave tregohet konsistente në kohëra të ndryshme që tregon për një ndjeshmëri dhe një risk të konsiderueshëm që adoleshentët të cilët kanë simptoma të depresion janë më të ndjeshëm nga përdorimi i substancave krahasuar me adoleshentët pa depresion apo me adoleshentët me probleme të tjera të shëndetit mendor.
Në literaturën e kësaj fushe hasim në studime të cilat i ndërlidhin llojet e ndryshme të drogave me nivele të ndryshme të depresionit, prej nga përdorimi i sedative dhe opiumit kishte nivel më të ulët të depresionit, ndërsa përdoruesit e drogave më të fuqishme sikurse kokaina është e lidhur me nivel më të lartë të depresionit.
Jo vetëm niveli i depresionit predikon llojin e drogës e cila përdoret, por edhe koha në të cilët paraqitet simptomat e para e depresionit. Prej nga u raportua se kishte një ndërlidhje signifikante në mes të variablave të ndryshme si përdorim i drogës në familje, koha kur është paraqitur për herë të parë depresioni dhe koha kur për herë të parë është abuzuar me drogën (Boyd, 1993).
Po ashtu krahasimet mes adoleshenteve me depresion dhe pa depresion kanë konfirmuar ndërlidhjen mes depresionit dhe përdorimit të drogës te këta të rinj. Në krahasimin mes këtyre grupeve Riggs, Baker, Mikulich, Young dhe Crowly (1995), raportuan se adoleshentët me depresion në krahasim me ata pa depresion, tentojnë që më shpejt të zhvillojnë varësinë ndaj substancave të ndryshme dhe tentojnë të iniciojnë problemet e sjelljes më herët. Po ashtu këta adoleshent janë në risk për zhvillimin e problemeve tjera mentale si ankthi, PTSD, ADHD krahasuar me adoleshentët pa depresion.
Ndërsa në raport me dallimet gjinore është treguar se te femrat depresioni është i lidhur më shumë me varësin nga substancat, ndërsa te meshkujt problemet e ndryshme psikologjike ishin të lidhura me krijimin e varësisë, e jo vetëm depresioni. Femrat raportohet që të jenë më të ndjeshme ndaj abuzimit me substanca gjatë periudhës se kalimit prej adoleshencës në pjekuri (Rao, Daley & Hammen, 2000). Megjithatë kemi mungesë të dhënave shkencore në krahasimin mes dy gjinive në ndikimin e depresionit në përdorimin e substancave.
Ndërlidhja mes depresioni dhe përdorimit të drogës mbetet komplekse, ngase kemi një lidhje shkakore mes tyre, niveli i lartë i depresionit predikonte krijimin e varësisë prej substancave të ndryshme, në anën tjetër përdorimi i drogës predikonte paraqitjen dhe zhvillimin e depresionit. Ndërsa shembulli me popullatën e përgjithshme ka treguar se femrat që për një kohë të gjatë ishin përdorues të drogës kishin pesë herë më shumë gjasa që të zhvillojn depresionin.
Duke u mbështetur literaturë dhe eksperiencën me raste të këtyre fushave duhet potencuar domosdoshmërinë e identifikimit dhe intervenimit profesional sa më të hershëm për trajtimin adekuat qoftë të depresionit apo përdorimit të substancave pasi të dyja kanë ndikim në njëra tjetrën si në fillimin çrregullimit apo si faktor mbajtës dhe përkeqësues.
Po ashtu komorbiditeti apo bashkekzistenca e më shumë se një çrregullimi ka efekt më të rënduar në shëndetin mendor të individit, duke e komplikuar edhe suksesin në trajtim.
Në literaturën e fushës është e njohur Teoria e Vetëmjekimit, sipas këtij modeli adoleshentët përdorin substancat me qëllim që t’u ikin ose reduktojnë depresionin, ankthin dhe shqetësimet.
Disa individ bëhen më lehtë përdorues të drogave, sepse e kanë më të vështirë të përballen me ndjenjat negative.
/Telegrafi/