Site icon Telegrafi

Ndalohet subvencionimi i energjisë elektrike në Gjermani – sa do të paguajë tani një familje gjermane?

Klaus Muller, president i Agjencisë Federale Gjermane për Sistemet e Rrjetit, përgjegjës për sistemet energjetike, vlerëson se çmimi i energjisë elektrike do të mbetet i lartë edhe vitin e ardhshëm.

“Energjia elektrike është liruar paksa që nga viti 2022, por çmimi është ende më i lartë se përpara agresionit rus në Ukrainë dhe kjo nuk do të ndryshojë shumë shpejt”, tha Muller për Rheinische Post.

“Ditët e energjisë së lirë janë në të kaluarën, gjithsesi pasi ne konsumojmë një sasi të madhe të energjisë së prodhuar në mënyrë konvencionale”, tha ai.

Muller mbrojti vendimet shtrënguese të qeverisë, duke përfshirë heqjen e disa subvencioneve për shpërndarësit e energjisë elektrike në vitin 2024, raporton t-online.

“Ishte një vendim i vështirë i qeverisë. Fatkeqësisht, nuk mund të kurseni para pa pasoja. Unë mund ta kuptoj atë vendim deri në atë masë”, tha ai.

Me anulimin e subvencionit prej 5.5 miliardë eurosh, një familje me katër anëtarë do të paguajë mesatarisht 120 euro më shumë për energji elektrike në vit.

Muller supozon se shpërndarësit do ta kalojnë shpejt koston tek përdoruesit e fundit.

“Herët a vonë, këto kosto do të zbresin për të gjithë konsumatorët, pavarësisht se kur ndryshimet hyjnë në fuqi”, tha ai. /Telegrafi/

Exit mobile version