Paris Saint-Germaini ka bërë ndalesën e parë sezonale në Ligue 1 duke luajtur baras (2-2) kundër Bordeaux në ndeshjen e xhiros së 15-të në kampionatin francez.
Kampioni i Francës kishte arritur 14 fitore në 14 ndeshjet e mëparshme, ashtu që është hera e parë këtë edicion që humb dy pikë.
Rezultati u zhbllokua në minutën e 34 me golin e Neymar, i cili u asistua nga Dani Alves dhe ky ishte goli i vetëm i pjesës së parë.
Jimmy Briand e barazoi rezultatin në pjesën e dytë me një gol të bukur (53′), falë asistimit nga Francois Kamano.
I asistuar nga Julian Draxler, Kylian Mbappe e riktheu epërsinë e skuadrës nga kryeqyteti francez (66′).
Mirëpo, Andreas Cornelius (84′) u kujdes që t’ia siguronte një pikë të artë ekipit të tij, pasi u asistua nga Maxime Poundje.
Paris Saint-Germaini ka 43 pikë në krye të tabelës së Ligue 1, ndërsa përcjellës më të afërt e ka Montpellierin që ndodhet 14 pikë prapa.
Nga ana tjetër, Bordeaux ndodhet në vend të 11-të në tabelë me 18 pikë të arkëtuara pas 15 javësh. /Telegrafi/